Protokollin e rreptë për turistët dhe udhëtarët, kushtet e reja dhe si do përballohen të dhënat e reja epidemiologjike kanë prezantuar ministri i Shëndetësisë së Greqisë, Vasilis Kikilias, ministri i Turizmit, Haris Theoharis, dhe zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas.

Nga 15 qershor lejohen fluturimet në aeroportet e Athinës e të Maqedonisë së Veriut, do të lejohen edhe nga Italia, Hollanda dhe Spanja. Përsa i përket Shqipërisë, do të lejohen fluturime nga pasagjerët për arsye pune apo madhore, jo turizëm apo vizitë  Vijon pezullimi i lundrimit të anijeve të huaja dhe kroçierave, nga 15 qershor do të lejohen vetëm skafe dhe jahte personale, me stafin lundrues.

Në 15 qershor hapen pikat kufitare tokësore me Shqipërinë, si dhe lejohen fluturime nga aeroporti i Tiranës drejt aeroportit të Athinës dhe Selanikut. Në deklaratat e sotme vihet re një ndryshim në planin fillestar. Udhëtimet  e shteasve shqiptarë drejt Greqisë do të kryhen vetëm për arsye pune apo madhore, të vërtetuara, deri në 1 korrik. Pas 1 korrikut, do të lejohen turistët dhe vizitat tek familjarët.

Në prag të rihapjes së kufijve, Lidhja e Punonjësve të Policisë Kufitare, të përqëndruar në sektorin e kontrollit të pasaportave në pikën kufitare Kakavijë, kanë publikuar një deklaratë ku shprehin hapur problematikën e thellë të këtyre ditëve.

Në deklaratën zyrtare drejtuar qeveritarëve grekë, policët kufitarë thonë:

Në kuadrin e rihapjes së doganës në Kakavijë, e duke marrë parasysh rritjen e shifrave të të infektuarve në Shqipëri, shprehim problematikën e thellë për personelin që do të shërbejë në kontrollin e pasaportave.

Mungesa e një plani efikas mbrojtës, urdhërit që do të sigurojë mbrojtjen nga virusi  si të udhëtarëve ashtu dhe të personelit, në prag të sezonit veror dhe dyndjes së zakonshme të këtyre muajve, është mjaft problematike.

U bëjmë thirrje organeve kopetente, përderisa do të hapen kufijtë tokësorë për udhëtarë e automjete nga Shqipëria, të kujdesen paraprakisht për masat mbrojtëse dhe protokollit shëndetësor, me një unit të shërbimit sanitar të sektorit epidemiologjik të përhershëm, kampione e teste sipas nevojave, si dhe më e rëndësishme: të mos lejohet dyndje e udhëtarëve në pikat kufitare, si vitet e mëparshme.

Siç është theksuar vazhdimisht, virusi nuk fal asnjë gabim. Le të kujdesen kopetentët të mos gabohet edhe këtë herë, duke u rikthyer sërish në një valë tjetër, të shkojnë dëm sakrificat 3-mujore e të izolohemi sërish”.

*

Plani i ministrisë së Turizmit

Nga 15 qershor hapen kufijtë tokësorë me vendet fqinjë dhe dy aeroportet e mëdha të Greqisë për 29 vende, mes tyre edhe Shqipëria, për raste të caktuara.

Nga 1 korrik starton zyrtarisht dhe sezoni turistik për Greqinë, përveç vendeve të treta që përjashtohen dhe nga lista zyrtare e BE. Nga kjo datë udhëtojnë lirshëm dhe shqiptarët Shqipëri-Greqi apo anasjelltas. Nga 1 korrik do të lejohen dhe lundrimet e anijeve në portet greke, si dhe në të njëjtën datë do të aktivizohen sërish dhe 7 pika hyrjeje nga kufijtë tokësore, ku përfshihen edhe me Shqipërinë.

Plani parashikon kampione në raste dyshuese si dhe karantinë 14 ditë nëse i testuari del pozitiv me covid-19.

E rëndësishme: nga 1 korrik të gjithë udhëtarët që do vizitojnë Greqinë do të plotësojnë një format elektronik ku do përfshihen me detaje të gjitha kontaktet që do të kenë gjatë udhëtimit në Greqi. Si dhe do të vendosen disa hotele karantinë, për rastet e të infektuarëve, lista e të cilëve do të shpallet ditët e ardhshme.

**

Plani i ministrisë së Shëndetësisë

Për  ishujt e Greqisë, që presin turistë nga 1 korrik do të jenë në gatishmëri  dhoma dhe 19 salla reanimacioni,  poliklinika dhe qendra shëndetësore në funksion 24 orë, 7 ditë në javë; ekipe lëvizës do të marrin kampione dhe formojnë statistikat në çdo ishull, do të funksionojnë ekipe lundruese të sektorit të Epidemiologjisë në ishujt e vegjël, si dhe janë gati 11 kapsula –salla për fluturim, në rast se do nevojitet transporti ajror apo detar, për pacientë.

Ishujt Tinos, Samos dhe Santorini do të jenë nën kopetencat e spitalit të madh Tzaneio në Pire, për çdo urgjencë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb