Nëse individi do të vlerësohej prej secilit ndershmërisht, mbi parime të drejta e pa u tunduar prej disbalancës – për shkaqe të ndryshme – me sinqeritetin për besimin që kemi se çfarë qenia humane përballë nesh përshfaq, sot mund të ishim Finlandë.

Ajo është grua. Dhe kaq e vështirë, për t’u kuptuar se përbën ende risi, se është ende lajm e se ka ende banorë të Tokës, të cilët e ri-gjykojnë situatën mbi këtë të dhënë. Quhet Sanna Marin, por me siguri emrin e saj tashmë e keni lexuar kudo. Jo sepse është grua. Sepse kryeson. Sepse i jep gjithë forcën gjinisë së saj, për të mos menduar se “janë vetëm gra“. Ajo është kryeministre. Gjinia e saj është çdo gjë që lidhet me vlerat: njerëzore, në shoqëri, familje, role të tjera. Është grua, e shumë të tjera.

Ajo është 34 vjeç. Kjo është një tjetër e dhënë, të cilën skeptikët duhet të shpjegojnë se përse përbën rëndësi në fjalitë e para prezantuese. Është grua 34 vjeçare. Kryeministre? Mbase pak më vonë. Pjekuri moshore. A shkon kjo njëlloj me logjikën meritokratike dhe gjithë vlerat e bëra bashkë?! Pse duhet gjykuar mbi këto baza? Dhe, a janë baza? Grua, 34 vjeç, e shumë të tjera.

Ajo do të udhëheqë një koalicion të qendrës së majtë me pesë parti të kryesuara nga gra. Ka eksperiencën e të qenit kryetare e këshillit të qytetit të saj të lindjes. Deputete e më pas, Ministre e Transportit. A ka rëndësi që është grua? Grua 34 vjeçare? Është grua, 34 vjeç, e mirëedukuar, kryetare e këshillit në vendlindje, deputete, ministre, e shumë të tjera.

Ajo është rritur në një familje me prindërim të së njejtës gjini. E ëma dhe partnerja e saj, e rritën në një familje e cila mbante sipër një çati, për të cilën paguanin qira të përmuajshme. Ka patur mbështetjen e së ëmës, e kjo e ka bërë të mos vazhdojë të ndihet e “padukshme“ – sipas BBC. A ka rëndësi ende të diskutohen llojet e familjeve e jo dozat e dashurisë, mbështetjes, kuptimit të mirë, komunikimit të paqtë, besimit, sigurisë…? Grua, 34 vjeç, e mirëedukuar, kryetare e këshillit në vendlindje, deputete, ministre, rritur në familje me prindër të së njejtës gjini, në një shtëpi me qira, e shumë të tjera.

Ajo u bë e para në familje, e cila zotëron arsim të lartë. Një diplomë master, në Shkencat Administrative, në Universitetin Tampere. Grua, 34 vjeç, e mirëedukuar, kryetare e këshillit në vendlindje, deputete, ministre, rritur në familje me prindër të së njejtës gjini, në një shtëpi me qira, në një familje ku edukimi universitar nuk ishte traditë, e shumë të tjera.

Ajo është nënë. As nuk shqetësohet për skeptikët ndërkohë që shohin fotot e saj duke ushqyer me trupin e saj, frytin e po atij trupi.
E shumë të tjera. Shumë të tjera.
Njeriu që do të drejtojë Finlandën, është çdo gjë që është Gruaja. Dhe për këtë, skeptiku është i padukshmi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb