Një ish-futbollist i Mançester Siti ka zbuluar se Pep Guardiola, përveçse i vëmendshëm ndaj aftësive taktike dhe kuptimit që kanë për lojën futbollistët e tij, është absolutisht i fiksuar edhe me përgatitjen fizike të tyre.

Spanjolli në të kaluarën ka dënuar lojtarë si Serxhio Aguero e Kalvin Filips për shkak të gjendjes së tyre fizike dhe tashmë një ish-futbollist i kampionëve të Anglisë, ka treguar se cili është rregulli më i njohur i trajnerit.

Të gjithë futbollistët që nuk janë të vëmendshëm ndaj formës së tyre fizike, e sidomos ndaj asaj që cilësohet mbipeshë, dënohen menjëherë nga Guardiola i cili i largon nga stërvitja derisa të gjejnë peshën ideale. Gael Klishi, ish-futbollisti i Mançester Sitit dhe Francës, ka zbuluar se si ishte jeta me Guardiolën në klub, në sezonin 2016-2017 kur u drejtua nga spanjolli.

“Nëse ti peshoje dy kilogramë më shumë se ajo që ai vlerësonte si peshën tende maksimale, nuk stërviteshe me ekipin”, tha ai për “Marca”. “Në futboll vazhdimisht dëgjon trajnerë që thonë që nëse je mbipeshë, nuk do të stërvitesh. Në fund, nëse është një lojtar i rëndësishëm, ky rregull anashkalohet.

Por me Guardiolën, nëse ishe dy kilogramë mbi peshën që duhej të kishe pas fazës përgatitore, atëherë nuk stërviteshe me të tjerët. Unë kam parë lojtarë që nuk ftoheshin në stërvitje për dy javë”, tregoi Klishi rregullin që ka vendosur Guardiola për lojtarët e tij./ PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: