Nga: FATMIRA NIKOLLI*

Ka qenë një ditë e fillimviteve 1990, kur Helena Kadare, ndërsa ishte në panairin e Frankfurtit “njohu” në një restorant zonjat gjermane të moshuara që kishin “rindërtuar” Berlinin e pasluftës në një kohë që burrat e djemtë ishin në luftë. “Janë duart e rreshkura të këtyre grave që shihni këtu që e kanë ngritur në këmbë kryeqytetin që kemi sot, – vazhdoi studenti i ri. – Siç mund ta dini, në fund të luftës Berlini u gjend krejtësisht i bombarduar. Gratë ishin vetëm, pa burrat e pa djemtë, që iu mbetën fronteve…”, kujton t’i ketë thënë shoqëruesi gjerman, një i ri student.
Shumë vite më pas, kur më ra në dorë libri tronditës i anonimes së famshme gjermane “Një grua në Berlin”, në mend më erdhën gratë e asaj nate të shtune të largët, që darkonin të vetmuara në atë picerinë e thjeshtë berlineze. “E përfytyrova anonimen midis tyre. Duhej të kishte qenë e atij brezi. Siç mora vesh më pas, kur u interesova për të, pas leximit të këtij libri, ajo kishte vdekur në vitin 2006.
Gratë e picerisë kishin bërë atë që kishin mundur për ta ringritur qytetin e tyre, të vetme, me duart e tyre. Kurse anonimja e librit kishte shkuar edhe më larg. Ajo kishte lënë një dokument të rrallë, dëshminë e gjallë të një tmerri të patreguar”, shkruan Helena Kadare në parathënien e librit “Një grua në Berlin” – ditar 20 prill-22 qershor (Botimet Onufri).
“Për një kohë të gjatë, ky libër i botuar pas lufte, kaloi në heshtje të plotë, pothuajse i mohuar nga opinioni gjerman i asaj kohe. Libri u botua në SHBA e në shumë vende të Europës, i shoqëruar me bujë e me habi të madhe, por në Gjermani, jo. Ai nuk u pranua, për një arsye që nuk u tha asnjëherë haptas. Por shkaku kuptohet”, shkruan Helena Kadare në parathënie, duke vënë në dukje se “në ditarin e kësaj gruaje ishin përshkruar ditë pas dite, tre muajt e fundit të ardhjes së ushtrisë ruse në Berlin dhe kapitullimi pa kushte i Gjermanisë naziste”. Gruaja anonime, me një përpikmëri dhe ftohtësi rrëqethëse tregon jetën e saj dhe të popullatës civile në këta tre muaj. “Nga statistikat doli më vonë se njëqindmijë gra gjermane u përdhunuan nga fitimtarët e Ushtrisë së Kuqe, duke përfshirë edhe autoren e këtij ditari. Ajo e vuan këtë fat bashkë me të tjerat, sepse, siç e pohon shpesh edhe vetë, e ndiente veten thellësisht të lidhur me vendin e saj, si rrjedhim deshi ta ndajë fatin e vetme me fatin e popullit të cilit i përkiste”, shkruan zonja Kadare.

VËZHGIME MBI DITARIN
Përtej fakteve, Helena Kadare që e ka përkthyer librin nga frëngjishtja, vëren se autorja të habit, mbasi në faqet e ditarit nuk gjen asgjëkund urrejtje, as zemërim. Sipas saj, është thjesht një kamera që regjistron çfarë ndodh. “A nuk kanë bërë të njëjtën gjë ushtarët tanë me gratë e tyre në Rusi?”, pyet veten ajo. “Ditari është mbajtur pa asnjë anësi. Me gjithë fatkeqësitë, urinë, përdhunimet, vdekje të panumërta, shpeshherë tepër dramatike, në të nuk mungojnë gjykimet e sakta e të drejta, për një pjesë të ushtarakëve rusë, që pati rastin t’i njihte vetë. Bashkë me tmerrin dhe vuajtjen e shkaktuar, ajo nuk e kalon shkarazi kur gjen mes ushtarëve të armikut, tipare të humanizmit, të gjenerozitetit, të mirëkuptimit”. Zonja Kadare shton se autorja e trajton dhe e sheh me të njëjtin sy vuajtjen e përbashkët të popujve, që iu deshën të kalojnë nëpër këtë kasaphanë botërore, për hir të ideve të çmendura të prijësve të tyre. “Ne kështu jemi si popull – thotë ajo. – Na vënë përpara ata që drejtojnë dhe ne i ndjekim pas si dele të bindura. Dhe ja përfundimi”.
Vetë përkthyesja e ditarit thotë se “popujt kanë njohur diktatura të egra dhe historia na tregon se kujtesa njerëzore është e shkurtër dhe harron shpejt. Që tmerret të mos përsëriten, kujtesa duhet mbajtur gjallë”. Sipas saj, njohja e së vërtetës nuk mund të bëhet veçse pas dënimit të së keqes. “Gjermania e fitoi këtë të drejtë pas aktit të saj shembullor të dënimit të bëmave naziste, pa asnjë lëshim dhe pa justifikim. Gadishulli ynë ballkanik ka shumë për të mësuar nga kjo përvojë. Kurdoherë në botë diku përgjon një e keqe, edhe kur ajo nuk vihet re menjëherë. Me anë të gjetjes së të vërtetës, duke ngulmuar për të parë drejt e në sy atë, njerëzit do ta kenë më lehtë t’i bëjnë pritë së keqes, pikërisht atëherë kur ende s’është vonë. Ky është misioni kryesor i historianëve të ndershëm dhe padyshim, i dëshmive të ndershme, si ky libër që kemi përpara”.
“Shkarravinat personale”
Një pasthënie nga Hans Magnus Enzensberger në fund të librit “Një grua në Berlin” (Botime Onufri) shënon se pak gjasa që autorja, kur e shkroi, kishte ndër mend ta botonte atë. “Shkarravinat personale”, që ajo shënon midis prill-qershorit të vitit 1945, në tri fletore shkolle (plus disa faqe të futura mes tyre, të shkruara me shpejtësi), e ndihmuan, para së gjithash, të ruante atë pak shëndet mendor, midis shkatërrimit të përgjithshëm dhe shembjes morale. Sipas Enzensberger, ato janë “fletore bodrumesh”, të shkruara nëpër strehimet kundërajrore, të cilat bënin një farë mbrojtjeje kundër gjuajtjeve të artilerisë, plaçkitjeve dhe abuzimeve seksuale të kryera prej fitimtarëve të Ushtrisë së Kuqe.
“Autorja s’kishte në duar asgjë tjetër veç një copë lapsi, me të cilin i duhej të shkruante nën dritën e qiririt ngaqë Berlinit i qe ndërprerë elektriciteti. Ajo mbijetoi në një bunker, ku fusha e saj e vëzhgimit ishte fare e reduktuar, për shkak të mungesës së përgjithshme të informacionit. Disa muaj më vonë, kur një lloj ekzistence, pak a shumë normale, nisi ta marrë veten, ajo mundi t’i rikopjojë dhe t’i publikojë shënimet e saj që përbënin ‘njëqind e njëzet e një faqe, me letër gri të ashpër, nga ato që fabrikoheshin gjatë luftës’. Meqenëse unë jam përgjegjësi i ribotimit të këtij libri, që ngeli në harresë për më shumë se dyzet vite, më bie si detyrë të respektoj vullnetin e autores, për të mbetur anonime”. Ai shënon se përmbajtja e kësaj dëshmie të lë të kuptosh që gruaja që e ka shkruar nuk ka qenë një rishtare në punë të shkruari: ajo ishte një gazetare me përvojë. Ajo flet për shumë udhëtime jashtë shtetit si reportere.
Ai tregon se “A Ëoman in Berlin” u duk për herë të parë në një variant anglez, pas të cilit vijojnë edhe përkthimet e tjera, në norvegjisht, italisht, danisht, japonisht, atë spanjoll, francez e filandez.
U deshën pesë vite të tjera që origjinali të shohë dritën e botimit në gjermanisht, siç edhe ishte shkruar. “Iu binda intuitës sime dhe kontaktova vejushën, që e njihte në të vërtetë identitetin e autores. Ajo më tha se anonimja nuk dëshironte ta shihte librin e saj të ribotuar në Gjermani sa kohë që ajo ishte gjallë. Më së fundi, më 2001, zonja Marek, më tregoi se “anonimja” kishte vdekur, libri i saj pra, mund të ribotohej, pas një zhdukjeje prej dyzet vitesh. Anonimja jonë e këtij libri do të ishte e fundit që do t’i gjente kësaj ndonjë arsye të rendit moral. Vëzhguese e pamëshirshme, ajo është armike e sentimentalizmit dhe e paragjykimeve. Edhe pse nuk ishte në dijeni për përmasat e shtrirjes së Holokaustit, për sytë e saj ishte e qartë se, duke e trajtuar tjetrin sikurse ata kishin bërë, gjermanët kishin tërhequr pas vetes gjithë fatkeqësitë që iu erdhën më pas. Në kundërshtim me të gjitha proceset e shekullit, ajo nuk hoqi dorë për asnjë çast as nga gjakftohtësia e as nga dinjiteti i saj, duke dëshmuar me një mirësjellje, që ishte bërë mall kaq i rrallë në rrënimet e Rajhut të III.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: