Qendra mjekësore në Mathura, 180 kilometra në jug të kryeqytetit të Indisë, New Delhi, e përgatitur me të gjitha pajisjet moderne i ka pacientët të rreshtuar jashtë duke pritur radhën e tyre për trajtim.

Pacientët që presin diagnozën, trajtimin me lazer, imazhe termike, ultrasonografi, hidroterapi, madje edhe karantinë nuk janë njerëz, por kafshët më të mëdha ekzistuese tokësore – elefantët.

Duke folur për AA, Kartick Satyanarayan, kreu i Wildlife SOS, një organizatë jofitimprurëse për ruajtjen e kafshëve të egra, që përkon me Ditën Botërore të Veterinarisë e cila shënohet të shtunën, tha se rehabilitimi i kafshëve dhe rritja e ndërgjegjësimit është e rëndësishme për mbrojtjen e kafshëve të egra.

“Sot në natyrë kanë mbetur vetëm rreth 40 mijë elefantë aziatikë. Pjesa tjetër janë të prangosur në robëri, të rrëmbyer nga habitatet e tyre natyrore. Në Indi praktikat si kalërimi i elefantëve për turizëm, përdorimi i elefantëve në solemnitet e dasmave dhe lypësit e lëmoshës mbeten të zakonshme pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit të publikut”, tha ai.

Përveç krijimit të një Qendre për Ruajtjen dhe Kujdesin e Elefantëve (ECCC) në Mathura në shtetin verior të Uttar Pradesh-it në vitin 2010, organizata ka ngritur një qendër tjetër tani në Haryana, ngjitur me kryeqytetin New Delhi.

Ai tha se spitali fokusohet në gjendjen e elefantëve të robëruar në Indi, të cilët janë në pronësi private dhe kanë një histori mizore të përdorimit për lypje lëmoshe ose mbahen në tempuj për “bekimin e vizitorëve të tempullit” ose detyrohen të performojnë në cirk.

Elefantët e plagosur, të sëmurë dhe të vjetër tani që janë jashtë përdorimit, janë rreshtuar para qendrës Mathura. Veterinerët në spital thonë se edhe pas rehabilitimit, elefantët mbeten plotësisht të varur nga njerëzit për mbijetesën e tyre të përditshme.

“Prandaj, një ekip veterinerësh ekspertë u ofron kujdesin më të mirë të mundshëm këtyre jumbove të keqtrajtuar. Spitali është i pajisur për të testuar dhe diagnostikuar elefantët për një sërë sëmundjesh dhe patogjene me një laborator të integruar”, tha Satyanarayan.

Një ekip i përkushtuar veterinerësh dhe stafi i trajnuar mund të shihet duke punuar gjatë gjithë orarit për të përmbushur nevojat e elefantëve të shpëtuar dhe për t’i siguruar ata se janë në një vend të sigurt.

Dr. Arun Sha, drejtor në Wildlife SOS tha për AA se veterinerët kujdesen për elefantët e shpëtuar që vuajnë nga sëmundje kritike.

“Shumë elefantë humbin shikimin ose për shkak të kequshqyerjes ose lëndimeve. Elefantë të tillë kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe pajisje të veçanta. Veterinerët ofrojnë kujdesin e përditshëm mjekësor të nevojshëm për këta elefantë ndërkohë që përgatitin plane diete për secilin elefant për t’i mbajtur ata të shëndetshëm”, tha ai.

Spitali kryen diagnoza të rregullta të gjakut të elefantëve dhe monitoron shëndetin e tyre, përveç kryerjes së seminareve të rregullta për vizitat e veterinerëve, biologëve dhe kujdestarëve të elefantëve nga e gjithë bota.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: