Do mbajtur mend mirë këtë ditë të përuljes që i është nënshtruar qytetari i Kosovës nga shteti i vet. Jo për të vajtuar për fatin e vet, por për të mos lejuar asnjëherë tjetër të mbërrijë në këtë pikë

1. E fillova ditën në kafe me një mik të vjetër dhe një pyetje që më brofi e që nuk besova se më doli. Pyetëm njëri-tjetrin për shëndetin – ai e ka kaluar COVID-19 para disa muajsh dhe qe i pari që ma shtroi pyetjen rreth gjendjes sime, ende të testuar negative karshi virusit.

– Nuk është vetëm formalitet me pyet fillimisht, është bërë pyetja kryesore kjo e shëndetit, komentoi miku.

– Po, dhe jo vetëm fizik, është edhe ajo e shëndetit mendor, shpirtëror, komentova.

Dhe, me lehtësi bëra pyetjen se si ndihej në këtë rrafsh të shëndetit.

Qe një kapërcim i një norme shoqërore. Prej se mbaj mend në komunikimin brenda shoqërisë sonë, e pyesim njëri-tjetrin për shëndet, ndonjëherë edhe “si ma ke disponimin” apo “si ma ke qejfin”, kufijtë e rrafshit emocional. Por nuk pyesim se si ndihemi shpirtërisht, nuk kalojmë tek fjala që fillon me D të madhe, si Depresion.

Gjatë muajve të fundit disa prej miqve, ndonjë edhe jo me aq afërsi rrëfimi, më kanë treguar se kanë kaluar apo kalojnë nëpër ndrydhje shpirtërore, se po kalojnë nëpër Depresion.

Ky mund të ketë qenë një hap i madh lehtësimi për ta. Kanë arritur të shpjegojnë, edhe përtej vetes, se çka po ndodh me ta.

2. “Ne fillojmë prej premisës se të jesh qenie njerëzore është të dish, pothuajse tërë kohës, brenda një përshkrimi a tjetër, njëkohësisht se çka është duke bërë njëri dhe pse është duke e bërë atë”. Kështu thotë sociologu i njohur britanik Anthony Giddens, duke shpjeguar ndjenjën e stabilitetit mendor, përkatësisht të asaj që quhet “siguri ontologjike” (siguri të të qenit). Në thelb të shpjegimit të Giddensit gjendet një ndjenjë rregulli dhe kontinuiteti; pra ndihemi të pasigurt në momentin kur ndodh diçka e “pashpjegueshme”, diçka që na e prish jetën çfarë e përshkruajmë apo e kemi përshkruar deri tani.

Kështu na ndodhi me pandeminë COVID-19. Çdo ditë në çdo medium e në çdo gjuhë e në çdo cep të botës u dha shpjegimi për virusin e rrezikshëm, për kapacitetin e tij shkatërrues, për efektet goditëse të tij ndaj dobësive të organizmit të njeriut dhe të organizmit të shoqërive. Ndiem që të gjithë se kjo ngjarje e “pashpjegueshme” po na i rrezikon rregullin dhe kontinuitetin. U mbyllëm nëpër shtëpi për një kohë, humbëm rrjedhën e jetës sociale çfarë kishim, nuk u takuam me miq dhe familjarë, nuk shkuam në shkolla e fakultete.

Ndiem pasiguri ekzistenciale. Pastaj vendosëm kolektivisht se nuk jemi të rrezikuar ekzistencialisht nga virusi. Kështu ndodhi në shumë vende të botës, dhe po ndodh edhe sot. Ndiem se virusi nuk do të na godasë ne, familjen tonë, kombin tonë, vendin tonë.

3. Gjatë pandemisë i humba dy shokë të vjetër, shokë që nga koha e gjimnazit.

COVID-19 është një abstraksion, një gjë “e pashpjegueshme” derisa të prekë afërsinë tënde. Agroni dhe Dashnori, dy shokët e mi, nuk do të duhej të kishin vdekur. Do të duhej të mbroheshin nga fakti se virusi i prek të tjerët, jo njerëzit tanë. Do të duhej të mbroheshin me mjekësinë e sotme. Do të duhej të mbroheshin nga shëndeti i tyre bazik, asnjëri nuk ka pasur ndonjë sëmundje që do të çonte tek vdekja. Nuk u mbrojtën nga asnjëra prej këtyre.

Ishin njerëz plot hare dhe në varrimet e tyre shkaktuan shumë vaj.

Kemi qarë pse shkuan dhe do t’i gjejmë vetëm në kujtesë.

Kemi qarë pse ndiem, si me çdo vdekje, se sa e afërt është ajo.

Kësaj here kemi qarë nga kjo ndërhyrje e “pashpjegueshme” në jetën tonë, këtë çrregullim që ende nuk po mund t’ia shpjegojmë vetes dhe që po na lë në pasigurinë tonë të të qenit.

4. Deri para pak kohësh që të gjithë në botë, në Evropë e regjion, ishim të pasigurt. Por sot dallimi ekzistencial, prej dite në ditë është vaksina anti-COVID. Personi që e merr vaksinën sot dallon thelbësisht prej atij që nuk e merr. Ai që e merr ka në rrëfimin e Giddensit siguri ontologjike, ka sigurinë e rrëfimit të vet jetësor, parashikueshmërinë (qoftë edhe relative) të një kontinuiteti jetësor. Ai që nuk e merr vaksinën është, në krahasim, ekzistencialisht i pambrojtur.

Dje mendova për dy oferta që u bëhen (pak) qytetarëve të Kosovës. Një kategorie sish (personelit shëndetësor apo ndonjë personi të përzgjedhur) i ofrohet vaksinimi në Kukës, si ndihmë e Republikës së Shqipërisë.

Një kategorie tjetër, afaristëve dhe partnerëve të Odës Ekonomike të Serbisë u ofrohet që vaksinën ta marrin në Serbi.

Dallimi i mjekes apo infermierit që marrin vaksinën në Kukës e afaristit që e merr në Serbi me qytetarin tjetër të Kosovës është mundësia e sigurisë për vazhdim të rrëfimit jetësor. Është dallimi thelbësor mes sigurisë dhe pasigurisë së të qenit, mes një forme të shëndetit mendor dhe një forme të kundërt të tij.

Kjo gjendje me lehtësi shpjegon tërësinë tonë ku zhvishet në formë dramatike, dështimi i një funksioni thelbësor i shtetit të Kosovës, nevoja që të jetë kulmi mbi kokë, garantuesi i sigurisë.

Do mbajtur mend mirë këtë ditë të përuljes që i është nënshtruar qytetari i Kosovës nga shteti i vet. Jo për të vajtuar për fatin e vet, por për të mos lejuar asnjëherë tjetër të mbërrijë në këtë pikë./koha.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb