NGA ANILA JOLE

 

Duket se Komisioni Evropan ka reaguar pozitivisht pas deklaratave që kryeministri Aleksis Tsipras bëri lidhur me zëvendësimin e Trojkës në Greqi. Zëdhënësi i Komisionit, Margaritis Shinas teksa konfirmoi takimin e presidentit Jean-Claude Juncker me kryeministrin grek, të mërkurën më 4 shkurt, tha se Komisioni ka treguar interes për  deklaratën e kryeministrit grek dhe është shprehur se “së shpejti do të arrijmë një marrëveshje me dobi reciproke” dhe se “nuk kemi synuar asnjëherë të veprojmë në mënyrë të njëanshme në çështjen e borxhit grek”. Zëdhënësi i KE vuri në dukje se zoti Juncker është i gatshëm të dëgjojë planet konkrete të qeverisë greke. I pyetur mbi mundësinë e një modifikimi të trajtës së trojkës apo suprimimit të saj, zëdhënësi i KE përmendi një deklaratë të presidentit Juncker, sipas të cilit ekziston nevoja për një legjitimitet të shtuar demokratik të Trojkës, për llogaridhënie dhe kontroll të mënyrës së funksionimit të saj në të ardhmen. Në çdo rast, tha ai, Komisioni pret zbardhjen e pozicioneve të palës greke dhe “çdo marrëveshje presupozon mendimin unanim të 19 shteteve anëtare të Eurozonës”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: