Partizani “zien” edhe nga brenda në këtë merkato. Të kuqtë që nga viti i shkuar kanë nisur një rinovim total të skuadrës, teksa në këtë verë klubi po vendos pikat mbi “i” edhe për lojtarët, që kanë mbetur nga “garda e vjetër”, e cila fitoi titullin kampion në vitin 2019. Egzon Belica dhe Alban Hoxha kanë qenë protagonistë prej disa vitesh si titullarë në fushë, por vitet kalojnë dhe gjërat ndryshojnë.

BELICA – Mbrojtësi është kryefjala e ditëve të fundit në titujt e gazetave dhe mediave të tjera. “Panorama Sport” zbuloi ekskluzivisht për një krisje mes lojtarit dhe klubit, teksa me kalimin e ditëve pritet të dalin informacione të reja në lidhje me këtë çështje.

Nga ajo që bëhet me dije, ditë më parë mbrojtësi është ulur me drejtuesit dhe trajnerin dhe i është bërë e qartë se nuk konsiderohet më një titullar i padiskutueshëm dhe duhet të pranojë konkurrencën. Vetë mbrojtësi nuk e ka pritur mirë këtë vendim dhe është munduar të japë argumentet e tij. Direkt pas kësaj bisede ka ndodhur një koincidencë aspak e mirë për mbrojtësin.

Ai është njoftuar për një problem familjar mjaft serioz dhe menjëherë pas kësaj ka kërkuar dy ditë leje nga klubi, që duke parë rëndësinë e çështjes, ka vendosur t’i japë 5 ditë pushim. Gjithsesi, gjasat janë që divorci të vijë para kthimit të mundshëm në stërvitje.

Një detaj tjetër, që ka ndikuar në thyerjen mes palëve është edhe një lëvizje pas shpine e mbrojtësit. Nga ajo që gazeta ka mundur të mësojë, Belica ka pasur kontakte me Shkëndijën në lidhje me një transferim të mundshëm.

HOXHA – Me ardhjen e Rexhepit, Alban Hoxha është ulur me drejtuesit dhe ka kërkuar informacion për situatën e tij. Klubi i është shprehur kapitenit se nuk mund të mbështetet vetëm tek ai dhe se duhet të konkurrojë për të luajtur në formacion. Gjithashtu, oferta e re për rinovim ka qenë me një pagë më të ulët.

Megjithëse negociatat kanë qenë mjaft të vështira, portieri i ka pranuar kushtet e Partizanit dhe pas kthimit nga Pogradeci ai do të firmosë për të vulosur më në fund këtë çështje. Kështu, bie edhe pista e kalimit te Tirana.

GURI – Sindrit Guri është dëshira e madhe e merkatos së Partizanit, por rruga për te 28-vjeçari bëhet çdo ditë e më e vështirë.

Përveç faktit që Shkëndija ka në dorë rinovimin edhe për një sezon të ish-sulmuesit të Kukësit, “Panorama Sport” ka arritur të mësojë se Boluspori, klub i Ligës së Parë turke, ka hyrë në garë për shërbimet e Gurit.

Kështu, edhe në rast se Shkëndija e lë të lirë, Partizani vështirë të mposhtë ofertën që do të propozojë klubi turk, ku aktualisht aktivizohen Gentian Selmani dhe Dejvi Bregu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb