Aktivisti Edison Lika, gjatë protestës para Kryeministrisë, deklaroi se ligji nr. 21/2024 dhe ai për investimet strategjike përbëjnë pengesë për integrimin europian të Shqipërisë, duke iu referuar deklaratave të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
“Ligji për investimet strategjike nuk është miratuar sivjet. Ata duan ta shesin si diçka të re, por nuk është kështu. Shqipëria e re, Shqipëria e lirë, do të jetë pa investitorë strategjikë”, u shpreh Lika.
Ai tha se, sipas tij, Marta Kos i ka bërë të qartë qeverisë shqiptare se procesi i integrimit nuk mund të ecë përpara pa ndryshime në këtë ligj.
“Marta Kos ka pasur shumë mundësi ta thoshte këtë më herët, por falë jush ajo ia bëri të qartë qeverisë shqiptare se nuk pranohet anëtarësimi në Bashkimin Europian pa shfuqizimin e ligjit 21/2024. Ne i themi Marta Kos se nuk ka integrim me Edi Ramën”, deklaroi ai.
Sipas Likës, mënyra e qeverisjes gjatë 13 viteve të fundit ka kufizuar hapësirat publike dhe private, duke ndikuar edhe në largimin e qytetarëve nga vendi.
“Këto ligje nuk kanë ndodhur brenda një dite. Përmes tyre kjo qeveri ka zaptuar për 13 vite çdo hapësirë publike dhe private. Na e ka pamundësuar jetesën dhe ndaj 1 milion shqiptarë janë larguar”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Lika u shpreh se protesta do të vijojë deri në largimin e qeverisë dhe kritikoi edhe përfaqësimin politik në Kuvend.
“Do të jemi këtu derisa të shporrim këtë bandë kriminale. Nuk do të lejojmë të përfaqësohemi nga Sara Mile dhe Zegjine me shoqe. Ju erdhi fundi”, deklaroi aktivisti.
