Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë online me Manfred Weber, kryetar i grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Europian, atë të Partisë Popullore Europiane. Në qendër të bisedës ishte interesimi i Weber për shqetësimet dhe temat kryesore të fushatës zgjedhore në Shqipëri.
Basha theksoi se shqetësimet kryesore të shqiptarëve sot janë gjendja e rëndë ekonomike, kostoja e lartë e jetesës, papunësia dhe emigrimi. Por, shtoi Basha, zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve është e lidhur ngushtë me integrimin europian të vendit: “Qytetarët janë të zhgënjyer pas 8 viteve të qeverisë Rama, 8 vite ngecjeje në vendnumëro në procesin e Integrimit Europian dhe duan ndryshim.

Por shqiptarët sot e dinë se ndryshimi do të vijë vetëm kur Shqipëria të bejë progres në procesin e integrimit në BE. Fatkeqësisht në këto 8 vite, vendi nuk ka bërë progres por madje ka shënuar hapa mbrapa sa i përket nivelit të  korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe shtetit ligjor. Prandaj sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë parakushte për të ecur përpra në procesin e integrimit, parakushte për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe për të rritur mirëqenien e tyre”.

Prandaj, kryedemokrati tha se ai dhe PD po përpiqen ta kthejnë vemendjen tek çështjet jetike për njerëzit si situata e rëndë ekonomike, papunësia e lartë dhe emigrimi kryesisht i të rinjëve dhe të arsimuarve. “Këto janë edhe fushat ku është fokusuar programi qeverisës i PD me plane dhe zgjidhje konkrete që do të mundësojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve, hapjen e vendeve të reja të punës, thithjen e investimeve të huaja dhe arsim cilësor dhe trajnim profesional të të rinjëve”, theksoi Basha.

Manfred Weber theksoi se “është gjithmonë mirë të dëgjojmë se reformat e pëcaktuara nga BE janë garanci për të ardhmen europiane për Shqipërinë”. Ai u interesua për standartet dhe infrastrukturën zgjedhore, më konkretisht mbi situatën me mediat, me aktivitetet e fushatës, dhe në përgjithësi me aksesin në infrastrukturë për aktivitetin politik të PD. Ai theksoi se zgjedhjet e 25 prillit janë jetike për të ardhmen europiane dhe integrimin europian të Shqipërisë.

Prandaj, shtoi ai, standartet e zgjedhjeve të 25 prillit janë një kusht që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e integrimit europian. Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që eurodeputetët i kanë dhënë vendit tonë, Basha kërkoi sërish që kjo mbështetje të intensifikohet edhe më shumë, në mënyrë që Shqipëria të mos mbetet mbrapa por të realizojë sa më shpejt ëndrrën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb