POGRADEC

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka deklaruar se është gati të lërë mandatin e tij si President për zgjidhjen e krizës në vend. Nga Pogradeci ku ka qenë në mbështetje të fushatës kombëtare të dhurimit të gjakut, meta tha se është gati të sakrifikohet si Salvador Aljende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake.

“Duhet ta theksoj se kriza kushtetuese dhe institucionale nuk është e re dhe arsyet besoj i kam dhënë edhe më parë, përse jemi në një situatë të tillë. Gjithë sistemi gjyqësor është i paralizuar, por  janë minuar përpjekjet apo iniciativat e Presidentit, për të parandaluar krijimin e kësaj krize, nga aktorë të caktuar. Pra, kemi një krizë që në vlerësimin tim është e qëllimshme dhe e cila ka rrezikuar seriozisht rendin kushtetues në republikën e Shqipërisë dhe po kështu jo vetëm të gjitha garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit. Tani kriza është thelluar e rënduar më tej pas veprimit të paprecedentë të opozitës shqiptare, i cili është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë, institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë.
Në vlerësimin dhe në bindjes time institucionale, Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë dhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse. Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm e thellon krizën po nuk ndihmon as në kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër  është i kontestueshëm në të gjitha planet, si në atë kushtetues, ligjor, procedural dhe moral. Dhe absolutisht që në vendin tonë, si një vend tërësisht pro europianë, mund të ftohen edhe 1 mln qytetarë që kanë mbushur moshën për të qenë deputetë dhe që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit për të votuar në parlament ligje në emër të reformave të integrimit europian, por kjo duhet të sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi dhe as nuk e garanton, përkundrazi e minon çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”, tha Meta.

Kreu i Shtetit theksoi se nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative, apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm i cili garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet duke respektuar kushtetutën, ndarjen e pushteteve, të gjithë ato angazhime të cilat Shqipëria duhet t’i respektojë urgjentisht për të marrë mesazhe pozitive për çeljen e negociatave.
“Çdo ditë që shtyhet ky dialog, çdo ditë që nuk ka përpjekje nga secila palë, përkundrazi kriza jo vetëm nuk tejkalohet por përshkallëzohet dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme të cilat janë të papranueshme për qytetarët shqiptarë pas 30 vitesh përvojë”, theksoi Meta.

Salvador Allende u zgjodh Presidenti i Kilit në vitin 1970, i pari presidenti marksist në një demokraci liberale por u rrëzua nëpërmjet një puçi ushtarak nga njeriu i tij i besuar, gjenerali Augusto Pinochet, i mbështetur nga CIA, i cili mbajti vendin deri në vitin 1990 nën drejtimin e një junte ushtarake. Në një deklaratë Allende do shprehej: “Nëse do të më bëjnë shoshë me plumba, vetëm atëherë do të mund të ndalin programin tim politik”.

Prononcimi i plotë i Presidentit Meta në Pogradec:

Pyetje: Zoti President, jeni shprehur vazhdimisht që vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe kushtetuese. Kur shpreheni kështu, çfarë keni parasysh Zoti President?

Presidenti Meta: Duhet ta theksoj se kriza kushtetuese dhe institucionale nuk është e re. Arsyet dhe argumentet besoj se i kam dhënë edhe më parë pse jemi në një situatë të tillë ku jo vetëm prej kohësh nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe pothuajse i gjithë sistemi gjyqësor është i paralizuar, por njëkohësisht edhe janë minuar përpjekjet apo qoftë edhe iniciativat, interesimi i veçantë i Presidentit për të parandaluar krijimin e kësaj krize nga aktorë të caktuar. Pra kemi një krizë, që në vlerësimin tim është e qëllimshme, dhe e cila ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë dhe po kështu, jo vetëm të gjitha garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit.

Tani kriza është thelluar dhe është rënduar edhe më tej pas veprimit të paprecedent të opozitës shqiptare, që është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime, që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe i qytetarëve shqiptarë.

Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse.

Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet. Si  në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral, dhe absolutisht që në vendin tonë si një vend tërësisht pro-europian, mund të ftohen, mund të thërriten edhe një milion qytetarë, të cilët kanë mbushur moshën për të qenë deputetë e që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit për të votuar në parlament ligje të reformave të integrimit europian, por kjo duhet t’i sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi, dhe njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe  Bashkimit Europian.

Nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve, duke respektuar të gjitha ato angazhime, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë urgjentisht për çeljen e negociatave së afërmi.

Çdo ditë që shtyhet ky dialog, çdo ditë që nuk ka përpjekje nga secila palë, përkundrazi kriza, jo vetëm që nuk tejkalohet, por përshkallëzohet, dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme, të cilat janë të papranueshme për qytetarët shqiptarë pas tridhjetë vitesh përvojë.

Pyetje: Zoti President, në kushte të tilla roli i juaj, pra duke qenë mbi palët, cili është? A jeni i gatshëm Ju për t’i ulur palët në dialog?

Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë qytetarët shqiptarë që, Presidenti Ilir Meta nga dita e parë e deri më sot ka bërë të gjitha përpjekjet për të parandaluar këtë krizë, e cila ka shumë dimensione. Këto janë të dokumentuara dhe nuk do doja t’ju merrja kohë ju dhe qyetarëve për atë se çfarë unë kam bërë për të parandaluar këtë situatë dhe për të dhënë mesazhin para BE-së që, ne jemi një vend që këtë projekt e kemi projekt kombëtar të përbashkët të mazhorancës, opozitës.

Që ne jemi të aftë dhe të përgatitur për të çelur negociatat.

Që ne jemi të aftë të zgjedhim pozitë dhe opozitë një kryenegociator të përbashkët dhe Shqipëria ka shumë të tillë, me integritet, me profesionalizëm, me reputacion ndërkombëtar.

Që ne punojmë së bashku për pesë prioritetet kyçe, pavarësisht se ndahemi për shumë çështje të tjera, por gjithmonë duke respektuar rregullat e demokracisë.

Të gjitha këto përpjekje deri tani, për fat të keq, kanë dështuar, jo për përgjegjësinë time, por për faktin se aktorë të caktuar nuk kanë dashur të marrin përgjegjësitë e tyre dhe në këtë mënyrë kemi ardhur deri këtu.

Nuk është e rëndësishme se çfarë kemi bërë sepse dhe këtë mund ta sqarojmë. E rëndësishme është se çfarë do të bëjmë.

Pyetje: A duhet që forcat politike të bëjnë sakrificë zoti President?

Presidenti Meta: Ajo që mund t’ju them ju, zotit Rama si Kryetar i shumicës në Parlament, që mund t’i them edhe zotit Basha si Kryetar i opozitës, por dhe gjithë qytetarëve shqiptarë socialistë, demokratë apo pa parti, të cilët kanë shqetësimin e stabilitetit të vendit dhe duan siguri dhe nuk duan vetëm kaq, duan dhe çeljen e negociatave, duan ecje përpara drejt anëtarësimit në BE: Presidenti Ilir Meta është shumë i ndërgjegjshëm për rrënjët e kësaj krize. I ka paralajmëruar aktorët vendas dhe ndërkombëtarë prej kohësh, që situata mund të shkojë drejt zhvillimeve të paparashikuara.

Është e rëndësishme të evitojmë çdo përshkallëzim të krizës, e cila mund të sjellë konfrontime, të cilat i kemi parë në të kaluarën dhe që kanë cenuar rëndë interesin e vendit, kanë cenuar dhe jetën, të drejtat dhe pronën e qytetarëve dhe kanë vonuar proceset integruese të Shqipërisë.

Për këtë qëllim, unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta.

Në këtë drejtim, edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet.

Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas.

Pra, Ilir Meta është i përgatitur dhe është i gatshëm për të dyja rrugët sepse asnjëherë, pavarësisht nga ambiciet e tij, nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij, dhe as për ambiciet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri.

Unë do t’i qëndroj betimit tim që, midis pushtetit dhe demokracisë, do të mbaj gjithmonë krahun e demokracisë sepse vetëm demokracia garanton një pushtet për popullin shqiptar në mënyrë që të ndalojmë shpopullimin e Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb