FIER- Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka shpallur të pafajshëm kryebashkiakun aktual, Baftjar Zeqo i akuzuar për shpërdorim detyre në ndarjen e banesave sociale. Në seancën e sotme gjyqësore, u rrëzua kërkesa e prokurorisë, e cila kërkonte 2 vjet heqje lirie për Baftjar Zeqon.

Sipas gjyqtares Egerta Hysi, provat e prokurorisë ishin të pamjaftueshme si për Zeqon, ashtu edhe për 12 anëtarë të komisionit të banesave sociale.

Po sot kjo gjykatë vendosi të lërë në liri me kusht, punonjësen e Hipotekës Mimoza Kola Gjinaku, e cila akuzohej për falsifikim dokumentash.

Bashkë më të, kanë qenë të akuzuar edhe 12 punonjës të tjerë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Strehimit. Sipas organit të akuzës, hetimi nisi në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kishin aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë, por nuk i kishin parë këto banesa.

Organi i akuzës ka deklaruar se do ta apelojë vendimin e Gjykatës së Fierit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: