Kukësi nuk do të luajë në shtëpi përballjen me Vllazninë, ashtu siç parashikuar kohë më parë. Verilindorët shpresonin që përurimi i stadiumit “Zeqir Ymeri” të bëhej më 15 tetor.

Por as më 24 tetor, ditën e sfidës me shkodranët, impianti nuk bëhet gati. Ka mbetur vetëm tapeti për të qenë gati. Nisur nga kjo situatë, gjasat janë që verilindorët të rikthehen në “Zeqir Ymeri” në ndeshjen e fundit të fazës së parë, atë ndaj Tiranës, që luhet pas një muaji.

Kukësi-Vllaznia do të luhet në stadiumin e Rrogozhinës në orën 13:45. Kjo për faktin se “Elbasan Arena”, që ishte kthyer si shtëpi e dytë për verilindorët, do të mbyllet, sepse do të bëhet mbjellja e radhës e barit.

Gjithsesi, fusha e Rrogozhinës është shumë e mirë, pasi është terren i ri i bërë së fundmi. Si Kukësi, ashtu edhe Vllaznia, janë skuadra që luajnë shpejt me topin dhe teknike, kështu që kjo fushë është idealja për të dyja skuadrat.

Pritet një ndeshje me rivalitet, mes dy skuadrave që kanë prodhuar futbollin më të bukur deri tani, që kanë shënuar edhe më shumë gola, 11 verilindorët dhe 13 shkodranët. Vllaznia renditet në vendin e dytë, 1 pikë më shumë se Kukësi, çka do të thotë se pritet një përballje pretendentësh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb