TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë një prononcim nga selia e PD ku foli për humbje të PS. Ai falënderoi gazetarët për punën e tyre, teksa theksoi se numëroimi i votave do përfundojë me fitoren e madhe të Aleancës për Ndryshim.

Basha tha se ajo që është e qartë si drita e diellit është se derisa PS është ndëshkuar në ato që i konsideronin bastione, pritet që vota për ndryshim të vazhdojë dhe fitorja e Aleancës për Ndryshim të konfirmohet në të gjithë vendin.

“Së pari dua t’ju falënderoj të gjitha mediave që keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Siç e dimë të gjithë qendrat e para që numërohen janë qendrat të cilat janë të përcaktuara nga partia në pushtet dhe favorizojnë historikisht partinë në pushtet. Thënë kjo, PS ka humbur thellë numrin e votave të numëruara në Tiranë, në zonat e mbyllura në Përmet, Këlcyrë, Memaliaj, kudo ku janë hapur këto kuti të cilat faktikisht ishin shënuar, sistemi është bërë i tillë që të nisë me kutitë ku gjoja PS do të ishte më mirë. Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të PS dhe një fitore apo rritje më mirë të themi të numrit të votave për PD, për koalicionin për ndryshim. Ky është fillimi, pas kutive që shpresonin t’i kishin bastion, po ku qartësisht janë ndëshkuar siç ishte zona 10 në Tiranë, ku PD ka një rritje prej 30% dhe PS një rënie prej 200 votash apo në zonën e Memaliajt, Këlcyrë, Përmet ku po kështu janë ndëshkuar qartësisht nga qytetarët do të vijë edhe radha e kutive të tjera”, tha Basha.

Kreu i PD theksoi më tej se “ajo që është e qartë si drita e diellit është derisa janë ndëshkuar në ato që i konsideronin bastione, ne presim që vota për ndryshim të vazhdojë dhe fitorja e Aleancës për Ndryshim të konfirmohet në të gjithë vendin”. “Çfarë është e rëndësishme tani është që ata që e dinë fare mirë se me projeksionet aktuale se çfarë i pret në kutitë e tjera t’i lënë lojërat. Janë ata kanë bllokuar numërimin në Kamëz dhe Paskuqan, janë ata që përpiqen të bllokojnë numërimin në Durrës e kudo tjetër. Ndaj, thirrja ime ndaj çdo numëruesi dhe çdo komisioneri është vazhdoni punën sipas ligjit me përgjegjësi, me seriozitet. Vullneti i popullit është në ato kuti, numërimi do të bëhet në mënyrë strikte dhe rigoroze sipas ligjit dhe unë jam i bindur që ashtu siç janë kthyer në ato që i konsideronin bastionet e tyre ashtu në fund të ketij numërimi ndryshimi do të jetë i prekshëm për të gjithë. Fitorja e Aleancés për Ndryshim është e padiskutueshme, fitorja e Shqipërisë do t’i takojë do shqiptari”, theksoi kreu i PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: