Projektligji për kanabisin mjekësor është një tjetër temë e nxehtë e këtyre ditëve, teksa drafti ndodhet në Kuvend. Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka folur sot në “Frontline” me gazetaren Marsela Karapanço në Newës24, për këtë çështje, duke thënë se nuk ka një studim apo vizion përse duhet të prodhohet në Shqipëri.

Sipas tij, vendi ka probleme dhe një numër të madh përdoruesish droge, teksa shteti nuk e pranon dhe shoqëria nuk flet për këtë gjë.

“Sa herë të kemi një disbalancë pushteti, do e vuajë në kurriz populli vetë që e krijon me veprimet dhe mos veprimet e veta.

Kanabisi mjekësor është një temë që rrihet në forume mjekësore. Ka dy përbërës, një përbërës që shkakton problematikat, varësinë dhe një përbërës tjetër që ka efekte mjekësore.

Këtë e njohim, sepse ne njohim morfinën. Ka shumë sëmundje që mund të përfitojnë nga ky përbërës. Ka dhe një grup sëmundjesh që mund të përdoret si preparat. Nuk ka një studim sa të sëmurë kanë nevojë dhe pse nuk i marrim dot nga jashtë. Pse duhet canabis made in Albania duhet të pyesni ata.

Sa kontribuon sot shteti shqiptar që të largojë njerëzit nga droga? Pothuajse hiç sepse nuk e pranon atë që ndodh. Kemi një numër shumë të madh shqiptarësh që janë të varur nga drogat e rënda, por nuk flitet fare. Jemi një shtet që s’ka problem, apo që e ka problem të madh? Çdo shqiptar duhet t’ia bëjë pyetjen vetes. Në momentin që bën një lëvizje të tillë dhe nga ana tjetër nuk pranon asnjë nga situatat e tjera, atëherë nuk bën detyrën tënde të shtëpisë.

Kemi një problem si shoqëri dhe duhet t’i vëmë gishtin kokës. Në fillim duhet të ngremë baza të forta shtetformuese, duhet të ketë një vizion”, tha Alimehmeti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb