Liga e Universiteteve “Gjon Durrahium” zhvilloi konferencën “Drejt një tregu global të arsimit të lartë, ndryshimet në ligj”, me pjesëmarrjen e institucioneve jopublike të Arsimit të Lartë në Shqipëri, mes të cilëve edhe universiteti Luarasi.
Rishikimi i kuadrit ligjor, ndërkombëtarizimi i institucioneve të Arsimit të Lartë, financimi, profilizimi dhe konkurrueshmëria ishin disa nga pikat kryesore mbi të cilat u mbështet diskutimi i pedagogëve dhe profesionistëve të arsimit.
Rektori i “Luarasit”, Prof. Dr. Maksim Haxhia trajtoi “Nevojën për ndryshime në ligjin e arsimit të lartë”, ku propozoi heqjen e kufizimit të mesatares 6.5 për maturantët, si dhe uljen e pragut për numrin e pedagogëve që duhet të ketë një departament.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e pranishme në konferencë, e cilësoi të frytshëm bashkëpunimin me Ligën e Universiteteve “Gjon Durrahium”, si dhe me Konferencën e Rektorëve, për rishikimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Ministrja tha se Shqipëria nuk është në nevojën e një ligji krejtësisht të ri, por duhet të ndërtojë frymën e së ardhmes në përputhje me standardet e BE-së, duke vënë theksin te ndërkombëtarizimi përmes profilizimit të universiteteve.
Për ndryshimin e ligjit të Arsimit të Lartë Liga “Gjon Durrahium” ka dërguar në ministri një material prej 45 faqesh, të hartuara nga një komision për çështjet ligjore, ku janë mbledhur opinionet dhe nevojat e çdo universiteti. Ndër të tjera, profesionistët e Arsimit të Lartë diskutuan për autonominë në universitete, ndërkombëtarizimin e diplomave, tërheqjen e studentëve të huaj dhe hapjen drejt tregut të punës.
