Nga: LEONARD BOMBAJ*
Një premierë e teatrit kombëtar ku hyn si spektator, ndihesh i inkriminuar, vetakuzohesh dhe del i amnistuar. Sesilja Plasari, një regjisore që të fton në teatër me finesën e një femre, dhe të përcjell “të rrahur emocionalisht” si një mashkull. Ajo nuk fryhet në karrigen e regjisë, por zhvesh trurin, përvesh shpirtin dhe fillon betejën pa u gdhirë. Sesilja gjysmën e suksesit e mbjell në përzgjedhjen e veprës, pastaj, në përkthimin prej asaj vetë, skicohet koncepti regjisorial që mpreh çdo element artistik.
Dy veprat e saj brenda një viti, me mesazhe kokëfortësisht të guximshme, të bëjnë të imagjinosh listën sekrete të veprave që synon në skenë, që nga vepra e parë, “Kasollja e Vogël”, ku pas një ngecjeje në ishull, burri merr vesh se shoku i ngushtë ka 6 vjet që është i dashuri i gruas, dhe aty, jashtë ligjeve njerëzore, vendosin një bashkëjetesë sfiduese, deri tek “Liri në Bremen”, ku një grua vret 9 të afërm, disa nga hakmarrja dhe disa për t’i shpëtuar nga kjo jetë e tmerrshme.
“Liri në Bremen” është një tragjedi borgjeze e R. W. Fasbinder (1945-1982), i njohur si “Bad Boy” i kinemasë së re gjermane në 1970-ën. Për të shuar kureshtjen, le të gërvishtim më thellë në histori. Kjo është mbështetur nga ngjarje e vërtetë, ndodhur në Bremen të Gjermanisë, ku Geesche Gottfried, një grua e bukur, atraktive, vrau 15 vetë, ku disa prej tyre (fëmijët), i vrau brenda muajit. Fundi i saj u pasua me prerje të kokës në publik.
Por autori Fasbinder nuk merret me statistikat e kësaj vrasëseje seriale, por futet me një filtër artistik, filozofik, dhe zbulon fijet që gatuajnë vrasjet e njëpasnjëshme, fijet që gatuajnë vrasjet, e përsëris, fijet që gatuajnë; i prek ato fije, i zgjat drejt nesh, dhe ia lë inteligjencës së audiencës t’i lidhë në logjikë. Nuk të drithëron vrasja, por si ajo pason tjetrën. Leksion për realitetin tonë, ë?!
Dhe Sesilja Plasari shkarkon në skenë mesazhe të shumëfishta, që nga klithma e së drejtës feministe, vetëzgjedhja e lirisë seksuale, shtypja dhe përdhosja e femrës nga shoqëria. Madje ajo këtë mision artistik duket sikur e hedh edhe në prehër të Drejtësisë, ku lindin pyetjet: “Mos vallë kemi burgosur vetëm pasojën? Po shkaku? Mos vallë burgosim vetëm një pjesë të krimit?”
Që në fillim të shfaqjes, regjisorja Plasari gozhdon audiencën të shohë në video-projektor një thertore, ku kasapë gjakftohtë u marrin jetën kuajve, lopëve e viçave të pafajshëm. Kjo duket si akuza e parë që marrim mbi vete, se jemi ne që atë mish e kemi në tavolinat tona. Gjithashtu, ky imazh është një paralajmërim se çfarë do të shohim më pas. Një projeksion se kjo botë është dominim, dhunë, supremaci e species mbi speciet. Sytë e viçit që pulit qepallat për herë të fundit, ndonëse trupi ka vdekur, është çudia melankolike që viktima me fytin e prerë ta thotë me sy.
Më pas, muzika, koralet hyjnore, tingujt zanorë, projeksionet vizive, të japin përshtypjen se po shohim një film në skenë. Dekori i lëvizshëm, hekurat e shumtë të dritares së Geshe Gotfried burgosin dhe audiencën në histori. Ky detaj është kaq i kuruar nga regjisorja, saqë në kulm të tragjedisë, muret anësore shqiten si gjymtyrë, duke zbuluar hekura të tjerë, si eshtrat e vdekjes, që kanë pushtet në këtë shtëpi dhe, shoqëruar me tinguj zanore, të sjellin shijen metalike të skërmitjes së vdekjes.
Nëse autori me personazhin e Geshës duket se profilizon pamëshirshëm profilin e gruas gjermane, ose më saktë të “Nënës Gjermani”, regjisorja, nëpërmjet paradës së personazheve që hyjnë për të vdekur, interpretuar radhazi nga V. Lame, N. Xhepa, A. Kristofori, A. Malaj, P. Vlashi, S. Angjeli etj., paralajmëron audiencën të mos pengohet dhe të gabojë në jetën e vet. Regjisorja Plasari shpalos tmerrin komik të Geshës, ku pas çdo viktime, gjithmonë gjendet dikush për t’i zënë vendin atij, dhe për t’i asfiksuar jetën Geshës.
Autori bën bashkëpunëtor spektatorin. Ai ka montuar të ashtuquajturën “Bomba e Hitchkokut”, pra autori dhe spektatori e dinë se në këtë shtëpi serviret një kafe me helm, ndërsa personazhet jo!
Përçudnimi i Geshës arrin deri aty sa ajo vret jo vetëm armiqtë e vet, por e flakur në një univers tjetër, ajo vret edhe fëmijët, për t’i shpëtuar nga kjo shoqëri vrastare që kemi krijuar vetë. Bukuria femërore, veshur me qetësinë vrastare të saj, duket e frikshme, por kur ajo të vret duke të thënë: “Po të shpëtoj, je më mirë në atë botë” kjo është drithëruese, e lë sallën pa fjalë, aq sa trembet dhe nga duartrokitjet e veta.
Aktorja G. Harizaj prodhon një vorbull të Geshës, herë dëshpërim, herë ekstazë për liri dhe herë fjalë qetëftohta “E helmova me kafe”. Nuri skenik dhe energjia psikofizike janë armët e aktores. Një interpretim që aktores i siguron një pasaportë karriere për më tej.
Regjisorja Plasari kësaj vepre të zymtë i zbulon dhe humorin e zi. P.sh., vdekjet në vepër dalëngadalë shndërrohen nga tragjedi në statistikë. Humori i shkurtër, i ftohtë, zbulohet në gjithë veprën gjermane. Në homazhet mbi burrin e vdekur, kur Gesha i jep dorën mashkullit të ri dhe ia mban shtrënguar gjatë, na sinjalizon se dialogu nuk është tekst, por nëntekst. Ajo i thotë me shikim në sy, pa i lëshuar dorën: “Dua që ti të marrësh në dorë ‘ndërmarrjen time’, pra seksin tim, dhe N. Xhepa, i aftë të veshë lëkurën mospërfillëse gjermane, mbjell një ankth të ri. Apo kur Gesha i thotë viktimës së radhës: “A do një kafe që të marrësh veten? … (më qafë)”, dhe deri tek vëllai i saj ardhur nga lufta, ku B. Asqeriu skicon një ushtar-testosteron, që kërkon të marrë pushtetin e biznesit familjar.
Regjisorja e njeh kaq mirë autorin, veprën e tij, mesazhin që ndan me audiencën shqiptare, saqë shkruan fundin e tragjedisë me një autorësi të saj: Gesha ngjitet drejt vdekjes, përdor si shkallë një dëng gazetash që përmbledhin gjithë hidhësinë e botës, kacavjerrja e saj pafundësisht projekton para nesh Sizifin femër.
Ajo kapërcen kufirin e kësaj jete dhe na merr me vete në botën e përtejme, ku takon gjithë viktimat e saj. Qetësia e engjëllit të vdekjes nuk do fjalë; mjafton portreti i heshtur i aktorit A. Frashëri. Ironia dhe sarkazma regjisoriale shoqëron zbritjen e Geshës. Një tub i kuqërremtë plastik ku rrëshqasin në parqe fëmijët, e sjell Geshën poshtë. Ai tub, po t’i referohesh veprës, duket si forma e një penisi mashkullor ku rrëshqet mes dy jetëve femra drejt vdekjes. Regjisorja Sesilja kujdeset që zbritja e Geshës të pasohet me rrjedhje gazetash në trup të tubit-penis, që shfletohen nga viktimat dhe lexojnë shtypin në atë botë. Ngrirja e personazheve në skenë rimon me audiencën që mban frymën. Një homazh i përbashkët artistë-audiencë në një kortezh të racës njerëzore.
Një mundësi katarsisi, ku qartësisht llogaritet se, nëse në tragjedi u vranë 9 vetë, pas çdo vepre artistike fshihet minimumi një krim më pak.
Largohesh nga kjo shfaqje me kokën mbrapa, ku mban mend historinë e një gruaje e cila, gjithë helmin që të tjerët ia gatuan në jetë, ajo ua u serviri në kafe. Kujton një vepër ku aktorët, “padrejtësisht” rrëmbeheshin nga vdekja dhe largoheshin kaq shpejt nga skena. Përmendesh se, nëse Gesha gjermane i helmoi të gjithë me kafe, regjisorja Plasari na ofroi kafe duke na lënë gjallë. Së fundi i belbëzon vetes: “Të gjithë në jetët tona kemi kafe të helmbluar.”
Ku ta hedhim atë helm?
Memoria është e populluar, ndërsa në eko dëgjohet e qeshura e autorit, që jehon si në një aeroport që pret mëngjesin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: