NGA ERMAL TELHA*

Shumë flitet çdo ditë për Parlamentin dhe parlamentarizmin në Shqipëri në këto 25 vite demokraci. Trajektorja e jetës parlamentare dhe e cilësisë përbërëse të këtij të fundit, ka pasur luhatje jo pak të ndjeshme, madje ka dekantuar deri në ngjarje kriminale. Legjislatura aktuale shënon një ndër përbërjet më të dobëta të 25 viteve, e përgjegjëse për këtë situatë është e gjithë klasa politike.

Hyrja në fuqi e listave të mbyllura ka shënuar një precedent negativ në demokraci, duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë demokracinë e brendshme të subjekteve politike e duke i dhënë një goditje fatale meritokracisë politike. Ndërkohë që flitet në emër të demokracisë, po tentohet “çimentimi” i sulltanateve që largojnë akoma më tepër të zgjedhurin nga zgjedhësi.

Deputetët e dy legjislaturave të fundit janë më shumë të emëruar sesa të zgjedhur, e duke përdorur një logjikë pragmatiste, përkushtimi më i madh i tyre nuk do të jetë ndërtimi i profilit publik afër komunitetit, por forcimi i marrëdhënieve me Kryetarin, i cili vendos edhe prezencën ose jo në listën fituese. Është e papranueshme që të vazhdohet me diktimin e emrave dhe reduktimin permanent të garës, qoftë brenda subjekteve politike, qoftë në përballje me sovranin.

Natyrshëm lindin një sërë pyetjesh, që duan patjetër përgjigjen e politikës: Kujt i shërben kjo formë autokratike që gëzon gjithë këtë mbështetje politike? Pse sovranit po i zvogëlohet fusha e ndikimit, duke e vendosur përballë zgjedhjesh të detyruara, që shpeshherë bien ndesh me preferencat dhe nevojat e tij? Pse niveli i Parlamentit ka precipituar në nevojë për dekriminalizim? Kush fiton dhe kush humbet nga listat e mbyllura?

Arsyet janë mjaft të shfaqura, pavarësisht se ato mundohen të mbeten larg syve të votuesit. Sistemi me lista të mbyllura nga partitë e mëdha po shihet si një mundësi e vetme, apo si mundësi më e mirë e mundshme për vazhdimin e mbijetesës në politikë, rrjedhimisht edhe në pushtet, të atyre figurave të shpenzuara politike, e të cilët kanë karrierë të gjatë në kupolat e partive. Prandaj, vazhdimi i tyre në politikë po konsiderohet si mundësi vetëm me mbylljen e listës zgjedhore, për shkak të konsumimit të tyre të madh.

Por, gjithashtu, ky sistem shihet si i përshtatshëm nga drejtuesit e partive politike, për shkak se në zonën e sigurt të listave, ata do të përpiqen të përfshijnë të gjithë ata kandidatë, të cilët janë të dëgjueshmit e liderit, duke vrarë garën dhe konkurrencën e brendshme, e cila sjell rezultat për sistemin, përball alternativat dhe idetë e secilit prej kandidatëve, i vendos ata në pozita konkurrence dhe i jep fuqinë sovranit për të nxjerrë në krye atë që i përfaqëson më shumë, përkundrejt atij që favorizohet pa meritë. Sistemi i listave të mbyllura i fsheh anëtarët e listave prapa partive përkatëse dhe nuk i nxjerr kandidatët përpara zgjedhësve me vlerat që përfaqësojnë.

Nga ana tjetër, ky sistem ndikon në monopolizimin e përzgjedhjes se njerëzve që do të përfshihen në listë, në duart e kryetarëve të partive, pra në subjektivizmin dhe interesat e tyre.

Duke paralelizuar me ekonominë, arrijmë në një përfundim të qartë: sistemi politik me lista të mbyllura është i ngjashëm me dominimin e monopoleve dhe oligopoleve, ku një ose disa operatorë në treg dominojnë pjesën më të madhe të hapësirës së veprimit. Ndërsa listat e hapura i ngjajnë tregut me konkurrencë të plotë, ku kërkesë-oferta diktohet nga tregu, nga kërkesat e konsumatorëve për të mira e shërbime, e pikërisht këta konsumatorë janë barometri më i mirë i nevojave.

E para forcon sulltanatin politik dhe i vendos qytetarët në pozitë periferike, të detyruar për të zgjedhur atë që u imponohet, ndërkohë që e dyta i vendos qytetarët në pozitë qendrore, të lirë për të zgjedhur atë që i përfaqëson më mirë. Sigurisht që qasja e dytë, përveçse fuqizon votën në dorën e zgjedhësit, detyron edhe aktorët politikë për t’u motivuar drejt përgjegjësisë komunitare, në mënyrë që të shndërrohen në zgjedhje të parë për elektoratin.

Kjo formë e ardhjes së deputetëve në Parlament, pa diskutim që do na servirë një përbërje më cilësore të tij, e nuk do detyrohemi të shohim e të dëgjojmë estradë të enjteve, apo akoma më keq, shfaqje banale të niveleve mediokre të panevojshme për shqiptarët që presin të kundërtën e asaj që po marrin nga Kuvendi aktual. Listat e hapura na vendosin më afër shndërrimit të Parlamentit në arenë përballje alternativash për reduktim problemesh, reflektim përgjegjësie e respekti për kolegët dhe zgjedhësit, bashkëpunim për progresin e vendit dhe sigurisht, më shumë shpresë për secilin prej nesh.

Që lista e deputetëve të mos bëhet si buka me listë, ku shitësi përzgjedh se cilit nevojtar do t’i japë bukë e cilit jo, duhet hapur gara e brendshme, e cila pa diskutim do të prodhojë meritokraci e vlerë të shtuar publike.

Shmangni “bukën me listë”, hapni listat!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: