Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë Ilir Cumani ka rrëfyer një bisedë me poeten e njohur dhe shumë të dashur Zhuliana Jorganxhi.

Ai tregon telefonatën e saj dhe më pas takimin emocionues. Cumani shkruan se ajo ka lënë aq shumë gjurmë në jetët tona, në vatrat e çdo familjeje shqiptare vetëm përmes fjalës dhe përmes saj na mësoi si ta duam pa kushte edhe më shumë Shqipërinë.

POSTIMI I PLOTË
Mbrëmë më ra zilja e celularit dhe nga ana tjetër e telefonit dëgjova një zë mjaft të njohur dhe shumë të dashur për mua.

Ishte një zë i qetë, i shtruar, i butë, i ëmbël… Si pesha e viteve që mban në shpinë ajo grua trupimët dhe e rrallë, e mbushur me aq shumë mall e dashuri për vendin, tokën që e lindi, rrugicat e sokakët ku ajo la gjurmët e një jete të tërë kudo nëpër Shqipëri.

Ka aq shumë mall për njerëzit dhe miqtë e pafundmë që ndodhen kudo nëpër Shqipëri, këtej dhe andej kufirit, të cilët do të dëshironte t’i takonte një për një, por e ka të pamundur për shkak edhe të problemeve me shëndetin që i ka kjo moshë.

Ai zë…., ohhhh ai zë magjepsës plot ngjyra dashurie e dhembshurie që e kanë vetëm NËNAT e sakrifikuara shqiptare, befas më shtangu atë çast dhe më futi në një tjetër botë, ndryshe nga ajo që jetojmë në të përditshmen tonë të vrullshme e marramendëse prej turravrapi….

Bir, më dëgjon..!?
Jam Zhuliana… Kam ardhë në Tiranë për pak ditë, por do të largohem menjëherë për në Trieste…. Por ti e di bir, unë nuk mund të largohem pa të takuar….ndaj të lutem, eja edhe më tako….!

Atë çast ndjeva një pështjellim emocionesh dhe ndjenjash të pashpjegueshme dhe munda vetëm t’i them se do lija çdo gjë që kisha planifikuar për të nesërmen dhe do të takoheshim patjetër.

U takuam sot në një nga lokalet e Tiranës së Re dhe ndenjëm aq sa nuk mjaftoi koha për t’u çmall… sepse me Zhuliana Jorganxhi, është e pamundur të ngopesh dhe të shterosh deri në fund mallin, emocionet dhe ndjenjat që të përcjell kjo grua dhe intelektuale e rrallë, me kaq shumë mirësi dhe energji pozitive, e cila
ka lënë aq shumë gjurmë në jetët tona, në vatrat e çdo familjeje shqiptare vetëm përmes FJALËS!

Dhe magjia e saj përmes FJALËS, ka skalitur në ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë një pjesë të historisë dhe kujtesës në kohën që jetuam me Zhuliana Jorganxhi….

Duam apo nuk duam, ky emër është i pashmangshëm për të gjithë bashkëkohësit e saj që jetuan në një Shqipëri ndryshe nga kjo e sotmja: Një Shqipëri më të varfër, por më të dashur dhe më të dhembshur se kjo e sotmja…

Zhuliana na mësoi përmes FJALËS, si ta duam pa kushte edhe më shumë Shqipërinë….

Edhe kur ajo të harron dhe nuk të jep asgjë si kompensim për çfarë i ke dhënë gjithë jetën, ashtu siç ka ndodh edhe me POETEN tonë të dashur, e cila vjen rrallë nga Trieste ku jeton prej dekadash e përmalluar për t’u çmallur me gjurmët e jetës dhe hapat që ka lënë pas….
FALEMINDERIT ZHULIANA JORGANXHI!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb