NGA VASIL KURETA

Me gjithë përpjekjet për të shmangur një përplasje tregtare brenda Perëndimit, ku vizitat e takimet e presidentit Macron dhe kancelares Merkel me presidentin amerikan synonin shmangien e një fillimlufte mes tyre, ku diskutuan direkt e shkëmbyen shqetësimet e argumentet përkatëse mes tyre, tashmë duket se nuk ka paqe, por një fillim lufte tregtare brenda Perëndimit. Nuk është lajm aspak i mirë, madje shënon një zhvillim shumë të padëshirueshëm e mjaft negativ, sepse në një luftë të vërtetë mes SHBA dhe BE, realisht nuk do fitojë asnjëri, por e sigurt që të dyja palët do të humbasin, jo vetëm në aspektin tregtar e financiar.

Që sot disa kanë filluar e nxituar ta quajnë presidentin Trump “njeri të luftës”, që kur u mësua se ka urdhëruar ministrin e tij të Tregtisë, Vilbur Ross, që duke filluar nga 1 qershori importet e çelikut nga BE, por edhe nga Kanadaja e Meksika do të taksohen në dogana me 25%, ndërsa për importet e aluminit taksa do të jetë 10%. Të gjitha përpjekjet për ta ndalur këtë hap dështuan, apo nuk funksionuan, sepse presidenti amerikan, Trump, nuk u tërhoq nga argumenti e vendimmarrja që kishte paralajmëruar. Ka tashmë përballë dy argumente e qëndrime, që dallohen qartë e konkretisht: ndërsa SHBA favorizojnë marrëveshjet dypalëshe, BE insiston në respektimin e rregullave të vendosura nga OBT, që vlerësohet si mbështetje edhe e parimeve të tregtisë së lirë dhe marrëveshjet e ndërsjella në kushtet e globalizimit.

Me këtë hap tashmë lufta është shpallur, apo ky hap amerikan shihet si fillim lufte. Tani pyetja shtrohet: Si do të reagojë BE ndaj kësaj sfide të hapur? Cilat do të jenë kundërmasat që do ndërmarrë BE dhe sa të përmbajtura do të jenë ato? Cilat do të jenë pasojat e menjëhershme, afatmesme e afatgjata ekonomike, financiare, por edhe sociale? Si do të shfaqet klima dhe cilësia e marrëdhënies mes SHBA dhe BE? A mund e a do të shtrihet kjo kontradiktë edhe në elementë e aspekte të tjera të marrëdhënies brenda Perëndimit? Cilat do të jenë efektet e pritshme në ekuilibrat ekonomikë e financiarë botërorë, në kushtet e nivelit aktual të globalizimit? A do të ndikojë ky zhvillim edhe në qëndrimet politike mes SHBA dhe BE, por edhe në bashkëpunimin ndaj zhvillimeve ndërkombëtare? Ajo që mund të thuhet në këtë moment është të ruhet qetësia, që vlerësimi e gjykimi i ftohtë të prevalojë në vendimmarrje dhe reagime konkrete.

Tashmë duket qartë se BE ka pritur një reflektim amerikan, pasi Macron e Merkel kanë bërë prezent përballë presidentit amerikan argumentet e tyre rreth opsionit amerikan për ndryshimin e rregullave në marrëveshjen e partneritetit tregtar mes SHBA dhe BE. Duket që kanë besuar shumë në një tërheqje amerikane apo zbutje qëndrimi, prandaj dhe konstatohet një shqetësim i madh. Dhe nuk mungon reagimi nga strukturat e BE, që e vlerëson këtë lëvizje amerikane si proteksionizëm të qartë. Kemi bërë të pamundurën për të shmangur këtë – thekson Cecila Malstron, – por SHBA deshën të përdorin kërcënimin për shtrëngesat tregtare, si levë për të marrë koncesione nga BE. Duket që ka një ditë të keqe për tregtinë ndërkombëtare. Kreu i PE, Tajani, pasi shpreh zhgënjimin për këtë zhvillim në marrëdhëniet me SHBA, thekson se, “ne jemi në krah të punonjësve tanë dhe industrisë europiane”, duke shtuar se, “ne do t’i përgjigjemi me të gjitha instrumentet e disponueshme, për të mbrojtur interesat tona”.

Edhe pse ky është qëndrimi i strukturave të BE apo reagimi i parë i tyre, megjithatë, interes të veçantë do të kenë reagimet e kancelares Merkel dhe të presidentit Macron. Ajo që shihet prapa këtyre deklaratave kuptohet si luftë e vërtetë edhe pse nuk duhet ngutur, apo që janë të kuptueshme këto reagime të para. Ajo që qëndron është se kjo lëvizje amerikane krijon lëndë konkrete, si pjesë e një kontradikte reale në zhvillim dmth., që do të prodhojë probleme konkrete ekonomike e sociale, që nevojitet të përballohen me të gjitha kostot përkatëse. Shefja e FMN-së, Christine Lagarde shfaqet e drejtpërdrejtë kur pohon se tarifat do të rëndojnë mbi të dobëtit. “Ata që janë më pak të privilegjuar do t’i ndjejnë më shumë pasojat, në rast të shkatërrimit të shkëmbimeve tregtare”, – ka nënvizuar ajo.

Nga mediat mësohet se Kanadaja ka reaguar menjëherë me vepra e jo thjesht me deklarata, duke bërë publik qëndrimin se do të vendosë tarifa me vlerë 16 miliardë dollarë ndaj produkteve amerikane si “wiski”/// dhe lëngu i portokajve. Kanadaja është furnizuesi kryesor me çelik me 17% të importeve. Kjo tregon edhe këtë reagim të shpejtë e konkret të Kanadasë. Kryeministri kanadez, Trudeau e konsideron të papranueshëm totalisht vendimin e presidentit Trump, duke nënvizuar se lufta tregtare do t’i dëmtojë të dyja vendet. Ai bëri thirrje për një logjikë të shëndoshë, e cila mund të vijë më vonë, pasi të ndjehen pasojat. Natyrisht që në këtë moment askush nuk mund të parashikojë dëmet komplekse e pasojat konkrete me këtë zhvillim, por që kuptohet se do të jenë dëmsjellëse për të gjitha palët në marrëdhënie në shumë elemente e plane.

Është e kuptueshme që BE do të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e OBT që të mundësohet një trysni prej saj, aq më tepër, që ky hap i SHBA-ve mendohet se vjen ndesh me konceptin dhe filozofinë e kësaj organizate, por edhe për faktin se mund të sjellë tronditje të tregjeve ndërkombëtare dhe të ekuilibrave të vendosur. Po kështu, nuk përjashtohet që BE mund të përgjigjet me kundërmasa mbrojtëse, por që ky zinxhir reagimesh vetëm do të zgjerojë pasojat e dëmshme e do dëmtojë vërtet ekuilibrat ekonomike, tregtarë e financiarë. Pas kësaj, mund të ketë reagime të tjera nga SHBA, siç përflitet edhe ngritja e taksave doganore për automjetet nga Europa, ku më e prekura mund të jetë Gjermania. Pra, ka mundësi që lufta të zgjerohet dhe që do të prodhojë edhe probleme të mprehta sociale, sepse kështu do të rrezikoheshin shumë vende pune, për shkak të mundësisë së mbylljes së shumë fabrikave.

Kuptohet që në thelb marrëdhënia tregtare është interes ekonomik e financiar, ku fitimi udhëheq, por edhe për administrimin e tij, tashmë ka rregulla të dakordësuara në partneritetin tregtar mes SHBA dhe BE. Kuptohet që rregullat mund të përmirësohen, por ligjet e tregut kanë përmbajtje objektive. Në kushtet aktuale, mbase mund të ketë nevojë përsosjeje të rregullave jo vetëm brenda partneritetit amerikano-europian, por edhe përtej tij, sepse tash veprohet në kushtet e globalizmit. Kuptohet që ligjet e tregut nuk mund të shmangen. Besohet që edhe në marrëveshjen e partneritetit amerikano-europian, këto elementë janë harmonizuar. Megjithatë, marrëveshjet edhe vjetrohen e nevojitet të përsosen, sidomos kur u rrinë ngushtë principeve e ligjeve organike të tregut, të fitimit dhe të kostos. Rregullat e dakordësuara që mbrohen edhe nga OBT, ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por edhe në ruajtjen e ekuilibrave të rëndësishëm rajonalë dhe botërorë.

Siç shihet, problemi është mjaft kompleks e nuk mund të reduktohet thjesht as në një fenomen të pastër ekonomik e financiar e as të mbetet në kornizat e ngushta juridike, që frenojnë lirinë ekonomike e tregtare. Kuptohet qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me një problem të pastër ekonomik e tregtar, që të mbetet apo të udhëhiqesh vetëm nga qëllimi i fitimit maksimal. Me siguri që pritet të ketë vetëpërmbajtje, që të mos acarojë kontradiktat brenda Perëndimit, apo që mosmarrëveshjet e dallimet në interesa të mos kthehen në një konflikt tregtar. Tash nevojitet të prevalojë përmbajtja e arsyeja, para demonstrimit të forcës. Nevojitet të ecet për të gjetur posibilitetet e rrugët konkrete për të zvogëluar diferencat mes palëve në interesa e fitime, si dhe në pakësimin e dëmeve materiale e morale, që të mos dëmtohet cilësia bazë e marrëdhënieve brenda Perëndimit.

Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/03/sa-duket-filloi-lufta-tregtare-brenda-perendimit/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb