Kreu i SPAK, Arben Kraja, një përfaqësuese e Prokurorisë së Posaçme dhe kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano kanë zbardhur detaje nga operacioni i zhvilluar sot në disa qytete të vendit, që ka kulmuar me disa arrestime dhe urdhër-arreste të personazheve të njohur të krimit.

Kraja tha se në këtë operacion ka marrë pjesë edhe BKH, së bashku me strukturat e policisë së shtetit. Ai tha se operacioni po vijon dhe do të zbardhen detaje të reja në vijim.

“Kushdo do të ketë të dokumentuara pasuri të paligjshme dhe të pa justifikuara do të sekuestrohen. BKH ka qenë shumë e përfshirë. Grupi që ka kryer hetimet ka qenë e përbërë nga 3 prokurorë. Kanë bërë punë shembullore në këtë rast. Plotësimi i BKH është një proces. Grupi i dytë po bën trajnimin, në mes të qershorit ata mbarojnë trajnimin dhe do të jenë të gatshëm për të kryer punën. Policia vazhdon të jetë në aksion. Nuk kemi asnjë analizë për momentin. Do të vazhdojnë procedurat për ekzekutimet e vendimeve të gjykatës. Çështja është në hetim. Do të kemi komunikime të tjera të nevojshme dhe do të bëjmë me dije ngjarjet për të cilat janë grumbulluar prova të reja”, tha Kraja.

Përfaqësuesja e SPAK tha se janë grumbulluar prova nga viti 2011 e deri më tani dhe të implikuar janë 8 grupe kriminale, në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

“Janë kryer veprime intensive për mbledhjen e provave të nevojshme. Provat datojnë nga viti 2011 deri më tani. Sikundër e kuptuat një pjesë janë ekzekutuar dhe një pjesë jo, nuk mund të japim ende të dhëna të plota. Kemi 8 grupe kriminale që kanë operuar në Tiranë, Elbasan dhe Durrës”, tha përfaqësuesja e SPAK.

Kryepolici Gledis Nano theksoi se janë grumbulluar provat e nevojshme. Ai tha se ky operacion nuk do të ndalojë e do të finalizohet me ekzekutimin e të gjithë urdhrave arresteve.

“Veprimet janë kryer të plota me qëllim fiksimin e provave. Nuk mund të themi që kjo punë ka nisur dhe mbaron sot, ka filluar që pas konstatimit dhe ndodhjes së ngjarjeve kriminale që ne kemi kryer veprime. Tërësia e provave të mbledhura ka dokumentuar mekanizmat e secilës ngjarje dhe pasi janë grumbulluar provat e tjera, është vendosur nga Gjykata për lëshimin e urdhër-arresteve. Është operacion, pasi hetimi ka filluar pas çdo ngjarje. Do të përfundojë në një kohë të caktuar dhe do të jetë në vijim. Jemi të vendosur për përballjen me çdo grup kriminal në Republikën e Shqipërisë”, tha Nano.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: