Ministrja e qeverisë franceze, Marlene Schiappa është vënë nën kritika të ashpra nga anëtarët e partisë së saj pasi u shfaq në kopertinen e revistës ”Playboy”.

Schiappa, e cila ka qenë ministre e qeverisë që nga viti 2017, u shfaq në kopertinën e revistës për të shoqëruar një intervistë prej 12 faqesh që ajo bëri për të drejtat e grave dhe LGBT.

Schiappa, e cila është ministrja aktuale për Ekonominë Sociale dhe Shoqatat Franceze, është fotografuar e veshur me një fustan të bardhë.

Schiappa ka qenë një avokate për një kohë të gjatë për të drejtat e grave dhe u emërua si ministrja e parë e Barazisë Gjinore në vend në vitin 2017.

Në këtë rol, ajo udhëhoqi me sukses një ligj të ri për ngacmimin seksual.

Paraqitja e saj ka tërhequr kritika nga kolegët politikë, përfshirë kryeministren franceze Elisabeth Borne.

Borne i tërhoqi vëmendjen Schiappas duke i thënë asaj se “nuk ishte e përshtatshme, veçanërisht gjatë kësaj periudhe”.

Franca është aktualisht në grahmat e një krize politike dhe sociale të shkaktuar nga masa e presidentit francez Emmanuel Macron për të çuar përpara reformat e diskutueshme të pensioneve, pavarësisht kundërshtimit të gjerë publik.

“Ne jemi në mes të një krize sociale”, deklaroi Sandrine Rousseau, politikane e Partisë së Gjelbër dhe aktiviste për të drejtat e grave.

Edhe politikani francez, Jean Luc Mélenchon, i cili doli i treti në zgjedhjet presidenciale të 2022, kritikoi pamjen e Schiappas.

”Në një vend ku… ministrja del në ‘Playboy’… tregon se Franca po del nga binarët”, shkroi Mélenchon në Twitter të shtunën.

Schiappa iu përgjigj kritikëve të saj në një postim në Twitter të shtunën duke thënë se “mbrojtja e të drejtës së grave për të pasur kontrollin e trupit të tyre, është kudo dhe gjatë gjithë kohës. Në Francë, gratë janë të lira. Me gjithë respektin për keqbërësit dhe hipokritët”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb