Viktima  e 28-të nga COVID-19 në Shqipëri ka qenë një punonjës i Doganës Shqiptare dhe stafi i administratës i ka dedikuar një ngushëllim publik për kolegun e tyre.

Sipas statusit zyrtar, stafi ngushëllon familjen e të ndjerit dhe i bashkohet dhimbjes së familjes. Po ashtu Dogana bën me dije se ai ishte prej 2 javësh në gjendje shumë të rëndë dhe nuk ia doli.

POSTIMI I DOGANËS SHQIPTARE

Ndërron jetë punonjësi i Doganës, i infektuar me COVID 19

Me dhimbje të madhe morëm njoftimin për humbjen e parakohëshme të kolegut tonë R.K, i cili prej ditësh ishte i shtruar në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi, i konfirmuar me COVID 19.
Kolegu u nda nga jeta pasi prej dy javësh ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pavarësisht trajtimit të bërë nga stafi mjekësor, asistencës të ventilimit mekanik të respiracionit dhe mjekimit intensiv, kolegu nuk ka mundur të mbijetojë.
I gjithë stafi i Administratës Doganore Shqiptare i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të të ndjerit.

Bashkohemi me dhimbjen tuaj!

Të prehesh në paqe koleg!

Pavarësisht situatës së vështirë në të cilën po punojnë çdo ditë punonjësit e ADSH-së, ata janë në krye të detyrës 24 orë, në 7 ditë të javës, për të përmbushur me përkushtim dhe devotshmëri misionin e tyre, si në pikat e kalimit kufitar, ashtu edhe në shërbim të çdo qytetari apo biznesi në doganat e brendshme.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb