Kryeministri Edi Rama ka ndarë për herë të parë një histori të pathënë në lidhje me një porosi që Princi i Emirateve të Bashkuara kishte lënë për të.

Përballë gazetares Nisida Tufa në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’, kreu i qeverisë tregoi se kur ishte në Emiratet e Bashkuara, princi kishte lënë porosi që ai të vaksinohej me vaksinën kineze. Madje Rama, i cili është vaksinuar me “Pfizer’ tha se do ta bënte patjetër edhe vaksinën kineze.

Mes të tjerash kryeministri ndau edhe një sekret, ku tha se prindërit e bashkëshortes së tij, Linda Rama, ishin infektuar me COVID.

Pse hezituat prej fillimit për vaksinën ruse e kineze?
Ka qenë një proces shumë dinamik procesi i sigurimit të vaksinës. shumë dinamik edhe shumë hatashëm nga pikëpamja e përpjekjeve, konfuzionit dhe kacafytjeve mes vendeve. Pra, nëse do më thoshin na jep një imazh se si ka qenë unë do jepja sherret për të hipur një autobus në momentet e pikut. E keni parasysh që mblidhen të gjithë njerëzit te dera, dhe kush do futet, kështu kanë qenë shtetet për të marrë autobusin e vaksinës. Dhe ne nuk jemi nisur nga një pozitë e favorshme, ne nuk jemi Gjermani, nuk jemi Franca nuk jemi Britania. Ne jemi një vend modest edhe në përmasa. Jemi një vend jo i fuqishëm. Jemi një vend që gjendemi në zemër të Europës, por është një zemër e Europës që ende nuk është e integruar në trupin e Europës. Është si kjo ku jemi, një mur. Ne u gjendëm tamam kështu, të rrethuar me mur, për faktin se BE nuk na bëri pjesë të skemës së shpërndarjes së vaksinave dhe kapërcimi i këtyre mureve për të siguruar vaksinën ishte një detyrim por edhe një aventurë pasi fakti është që sot ne jemi vetëm një nga dy vendet në një kolektiv prej 6 vendesh që kemi hyrë në vaksinimin masiv. Të tjerët janë në fazën e dozave simbolike. Dhe në fillim ne siguruam kontratën me Pfizer dhe ishim optimist që do mund të siguronim vaksinat që janë të aprovuara nga EMA duke ndjekur të njëjtën linjë me BE. Kini parasysh se Shqipëria ka ndjekur të njëjtën linjë me BE, edhe kur kanë qenë vende të tjera. Por ne pamë që kjo gjë nuk ishte e mundur, jo për shkakun tonë por për shkak të faktit që nuk ka vaksina të mjaftueshme. Me këtë punën e vaksinën u bë një situatë ‘o mete për vete’, kur i thonë, por gjëja që duhet kuptuar është se nuk është se ne i kishim vaksinat kineze ose ruse dhe nuk po i merrnim. Nuk është se ishin në pazar dhe nuk po shkonim t’i merrnim, nuk kishte. Dhe rruga drejt tyre nuk ka qenë një rrugë direkte. Ka qenë një rrugë indirekte me shtete të tjera, me partnerë të tjerë. Dhe falë këtyre partneriteteve që në kohë normale janë kritikuar e janë përqeshur ne arritëm edhe të sigurojmë vaksinën kineze dhe të sigurojmë doza të mëdha. Vaksina kineze ka një kredibilitet shumë të lartë. E para sepse Turqia, një vend që të gjithë e respektojnë si një nga historitë më të admirueshme të suksesit për transformimin e shëndetësisë, po vaksinon me këtë vaksinë dhe po ka shumë sukses. Emiratet e bashkuara, Arabia Saudite, Bahreini dhe gjithë vendet e Gjirit, po vaksinohen me atë vaksinë dhe po kanë goxha sukses. U hap llafi dhe për hir të të vërtetës në mënyrë shumë të poshtër nga doktor Saliu dhe pastaj nga të tjerë që vaksina kineze është vdekje prurëse, që kinezët vetë e kanë të ndaluar për moshat mbi 60 vjeç, që kinezët na kanë çuar edhe ne një letër e na thonë mos e përdorni për mbi 60, që vaksina qenka e skaduar, nuk e di se ku gjendet në shpirtin njerëzor një zonë kaq e zezë që mund të prodhojë të tilla fjalë për t’i përhapur në eter, në kushtet kur njerëzit janë në ankth, dhe kanë nevojë për mbështetje e siguri. Ajo që dua të them është se kinezët nuk filluan nga lart poshtë, por filluan nga vaksinimi i krahut të punës. dhe faktikisht pjesën 60+ e lanë për më pas.

Nëse nuk do të ishit vaksinuar me Pfizer do ta bënit vaksinën kineze?
Do e bëja patjetër dhe po ju them një sekret të vogël, për kënaqësinë e bisedës. Kur unë isha në Emiratet e Bashkuara, dhe u takova me ministrin e Jashtëm, sepse Princi atë ditë nuk ishte aty, kishte lënë porosi të vëllait, sepse ai është ministër i Jashtëm, i kishte thënë ‘thuaj Edit të bëjë vaksinën’. Dhe ai më tha që vaksina është perfekt. Vaksina kinezë ka një metodologji tjetër, është bërë në rrugën tradicionale, nuk është si rruga inovative e dy vaksinave të tjera. Nga pikëpamja e tundimit, sepse unë kam një problem të kahershëm, që i vogël me astmën alergjike, që në fillim më tregohej nga ata që unë konsultoj, si një rrezik i madh nëse do merrja Covidin, që duhet të ruhesha dhe sigurisht që dëshira dhe tundimi ishin shumë të forta, por unë nuk mund ta bëja dot këtë gjë sepse unë jam Kryeministri i Shqipërisë dhe nuk mund të bëj kurrë gjëra të tilla, duke shfrytëzuar detyrën dhe lidhjet për shkak të detyrës për të patur një privilegj. Nuk e kam thënë, por ne kemi patur probleme në shtëpi me prindërit e Lindës me Covidin dhe nëse do e kisha konceptuar detyrën time si privilegj, patjetër që do isha vaksinuar. Ashtu sikundër që Linda mund të ishte vaksinuar, por askush nuk e ka bërë pikërisht sepse ndryshe i bie të jem njësoj si të tjerët. Por nuk si të tjerët, ndaj po them ‘PO’, do ta kisha bërë me shumë qejf vaksinën kineze por u detyrova të pres momentin kur ta kishin shqiptarët dhe pastaj e bëra vetëm për të thënë që vaksina nuk ka problem. Siç e kanë bërë shumë kolegë në vende të tjera.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: