Pak ditë më parë, Parlamenti grek miratoi ligjin për prodhimin dhe shitjen e produkteve mjekësore që përmbanin kanabis, duke hapur rrugën për tërheqjen e investimeve në një aktivitet të ri dhe kryesisht të keqkuptuar.

Mbetet për t’u parë nëse interesi i parë fillon të transformohet në investime aktuale dhe nëse palët e interesuara janë afatgjatë dhe jo investitorë afatshkurtër. Në përgjithësi, zhvillimet do të varen nga shpejtësia e nxjerrjes së legjislacionit të nevojshëm dytësor dhe përmbajtjes së tij, shkruan ‘Ekathimerini’.

Pesë konsorciume me plane investimi për kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor, tashmë kanë trokitur në derën e zëvendësministrit të Ekonomisë, Stergios Pitsiorlas.

Ndër palët e interesuara për kultivimin e kanabisit mjekësor në Greqi janë dy nga kompanitë më të mëdha në botë në këtë sektor, si nga Kanadaja: Ata janë Aphria dhe Canopy Growth. Sipas planeve në katër vitet e ardhshme pritet të zhvillohen 92,000 metra katrorë të serrave me një kapacitet prodhues prej më shumë se 100 tonë, duke krijuar deri në 500 vende pune deri në vitin 2021. Canopy Growth dëshiron të investojë mbi 50 milionë euro, fillimisht për krijimin e 50,000 m², që gradualisht do të zgjerohet në 100,000 m² e kultivimit, e cila mendohet se do të krijojë deri në 1,000 vende pune.

Golden Greece synon të rrisë kanabis në një kompleks në Naoussa, në perëndim të Selanikut, si dhe parashikon ndërtimin e një fabrike për të përpunuar dhe prodhuar produkte farmaceutike, me një investim total që do të fillojë nga 400 milionë dhe do të tejkalojë 1 miliard euro pas dy vitesh, shkruan “monitor”.

Kompania me bazë në Shangai, Europacific Medical ka një plan investimi prej 20 milionë eurosh për Greqinë, ashtu si dhe HAPA Medical Holdings BV, me seli në Holandë.

Kanabisi mjekësor ka kosto të larta të ngrohjes, prandaj moti i ngrohtë i Greqisë i ofron vendit një avantazh krahasues për investime të tilla shkruajnë mediat vendase.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb