Nga: PETRIT HALITI*
Ministri i Jashtëm i qeverisë së re greke, Nikos Kocias, ka njoftuar se do të zhvillojë gjatë muajit qershor një turne në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Në praktikën diplomatike turne në gjashtë shtete njëherësh, rrallë organizojnë edhe shtetet e mëdha, udhëheqësit e të cilëve nuk kanë kohë të shkojnë në periudha të ndryshme në secilin shtet të një rajoni dhe i përfshijnë në një tur të vetëm. Mund të ndodhë edhe në praktikën e shteteve të vogla si Greqia, që të organizojë një turne diplomatik në disa shtete për shkak të kohës vërtet në numërim, që ka qeveria aktuale greke, e fundosur në borxhet astronomike, që i ka Europës. Formalisht Greqia as nuk ka presidencën e ndonjë nisme rajonale, gjë që do t’i jepte një pretekst këtij turneu. Por turneu i ministrit të Jashtëm grek në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor ka marrë, që pa u nisur, emërtimin dhe ambicien e qeverisë së re greke për të arritur një lloj kujdestarie të Greqisë mbi gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nuk mund ta quash nismë diplomatike, sepse fjala nismë është e madhe dhe kërkon përmbajtje. Por është një lëvizje diplomatike, e cila po kërkon të pretendojë një rol të ri udhëheqës të Greqisë në Ballkanin Perëndimor. Në fakt nuk është as koncept i ri dhe as doktrinë e re diplomatike e ministrit të Jashtëm grek, sepse shumë paraardhës të tij e kanë pasur këtë ambicie dhe janë përpjekur për të realizuar një lloj roli kujdestarie të Greqisë në Ballkan. Paraardhësit e Kocias e kanë bërë këtë përpjekje në kohëra shumë më të mira për Greqinë, kur BE nuk e kishte mësuar dhe as kuptuar ende, se sa i thellë ishte thesi i borxheve, që elita politike dhe financiare greke konsumonte nga thesari europian.
Duhet thënë që në fillim se nuk kanë pasur sukses programet, planet dhe projektet e mëparshme pretencioze ballkanike të Greqisë për të siguruar një pozitë dhe rol drejtues në Ballkan. Greqia dështoi me Programin e saj Ekonomik Ballkanik të vitit 1999, kur caktoi dhe një fond prej 550 milionë dollarësh për të organizuar zhvillimin ekonomik dhe politik të Ballkanit nën kujdestarinë e shtetit grek. Plani dështoi, dhe sot asnjë qeveri apo ministër i Jashtëm grek nuk e zë më në gojë atë, qoftë edhe si kronikë marrëdhëniesh me Ballkanin. Dështimi i dytë i madh ishte programi i bujshëm “Axhenda 2014”, e shpallur nga kryeministri Georgos Papandreu në vitin 2009, sapo u zgjodh kryeministër, dhe ku afishoi pretendimin se Greqia do të bëhej lokomotiva e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2014. Lokomotiva ngeci në baltën e borxheve dhe gjashtë vjet pas planit “Papandreu”, asnjë shtet ballkaniko-perëndimor nuk është pranuar në BE dhe vetë diplomacia greke e ka harruar “Axhendën 2014”.
Ministri i ri i Jashtëm, Nikos Kocias, e rimerr edhe njëherë këtë ambicie, por rrethanat dhe kushtet janë edhe më të pafavorshme se ato të paraardhësve të tij në qeveritë e mëparshme greke. Së pari, edhe pa qenë diplomat, e kupton se një shtet që po fundoset në detin e borxheve, nuk mund të jetë në gjendje të realizojë një ambicie apo plan rajonal dhe të marrë rolin e një kujdestarie të një grupi shtetesh ballanike. Së dyti, që të kërkosh një rol kujdestari rajonal apo mbirajonal, duhet që shtetet e rajonit të të pranojnë për të tillë. Qeveria aktuale greke e kryeministrit Cipras ka kreditet më të ulëta të besimit diplomatik dhe politik në vendet ballkanike, sepse është një qeveri, e cila siç po shprehen udhëheqësit europianë këto ditë, po luan bixhoz me fatet e vetë Greqisë. Një qeveri kumarxhie, që nuk e ka për gjë të luajë me fatet e shtetit dhe të popullit të vet, kuptohet se sa lehtësisht mund të luante me fatet dhe interesat e popujve dhe shteteve të tjerë.
Së treti, qeveria e re greke e kryeministrit Cipras dhe e ministrit të Jashtëm Nikos Kocias, nuk ka demonstruar deri tani asnjë frymë të re, asnjë impostim të ri dhe asnjë predispozicion për të ndërtuar marrëdhënie të barabarta me shtetet e rajonit dhe sidomos me shtetet fqinj. Që kjo qeveri në Athinë nuk ngjall ndonjë shkëndijë besimi për marrëdhënie të reja rajonale, mjafton të lexosh platformën e politikës së jashtme të Nikos Kocias, të shpallur në 10 qershor në Universitetin e Oksfordit, për t’u bindur se konceptet dhe gjuha e drujtë e retorikës komuniste sovjetike ka zbritur në Akropol.
Mund të merret shembull vështrimi i tij mbi marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, kur në 10 qershor parashtroi platformën e bisedimeve të tij të ardhshme në Tiranë, platformë e cila, me indulgjencën më të madhe, mund të thuhet se prodhon keqardhje. Nëse Kocias vjen në Tiranë me atë platformë, mund të thuhet me siguri se bisedimet kanë dështuar pa filluar vizita. Sepse një ministër i Jashtëm nuk mund t’i lejojë vetes ndërhyrje aq flagrante në punët e brendshme të një shteti fqinj, duke i diktuar se kë duhet e kë nuk duhet të fusë në koalicionin qeveritar. Një ministër i Jashtëm në 2015 nuk mund të përdorë mbi Tiranën kartën e presionit të emigrantëve njëlloj si në 1993 dhe të shqiptojë të pavërteta dhe të pretendojë se Greqia ka më shumë shqiptarë se çdo vend tjetër në botë. Ministri i Jashtëm, me sa duket nuk i ka parë listat zyrtare të institucioneve të specializuara greke, që precizojnë se në Greqi ka 380 mijë emigrantë shqiptarë, në një kohë kur në Itali ka 550 mijë emigrantë shqiptarë. Nëse Kocias llogarit në shifrën e shqiptarëve në Greqi edhe arvanitët, edhe çamët ortodoksë shqiptarë, prapë nuk e arrin dot numrin e shqiptarëve që janë në Turqi, ku e kalojnë pesëmilionëshin.
Një ministër i Jashtëm, që përgatitet të shkojë për vizitë dhe të zhvillojë bisedime në Tiranë, nuk mundet të bëjë deklarata absurde se “ka shumë probleme midis Greqisë dhe Shqipërisë për shkak të disa pikëpamjeve të një pjese të udhëheqjes së vendit për moszbatimin e marrëveshjeve”. Ministri i Jashtëm grek bën dy gabime. Së pari tenton të krijojë përshtypjen sikur për marrëveshjen e vdekur të detit, të shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e ka fajin vetëm një pjesë e udhëheqjes shqiptare, kurse pjesa tjetër e udhëheqjes shqiptare qenka dakord me pikëpamjet e qeverisë greke. Duke lënë mënjanë karakterin diversiv brutal të kësaj deklarate të papërshtatshme për një ministër të Jashtëm, çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të pyesë kryediplomatin grek se cila qenka ajo pjesë e udhëheqjes shqiptare, që mbështetka pikëpamjet greke dhe cilën pjesë do të takojë në Tiranë ministri i Jashtëm grek: pjesën që ligjërisht nuk e njeh marrëveshjen inekzistente të detit apo pjesën, që pranoka marrëveshjen e vdekur të detit. Së dyti, ministri i Jashtëm grek njofton publikisht se ai do të ushtrojë presione në Tiranë për të ringjallur marrëveshjen e vdekur të detit. Kocias paralajmëroi se do të vijë në Tiranë me një paketë presionesh, që ai i vuri etiketën “paketë zgjidhjesh”. Natyrisht është brenda normave protokollare të mikpritjes, qoftë diplomatike, qoftë shqiptare, për t’i mësuar atij se interesi kombëtar nuk negociohet dhe se koha e inferioritetit dhe e pabarazisë së marrëdhënieve ka ikur bashkë me qeveritë e mëparshme të Tiranës.
Po t’u shtosh këtyre edhe pretendimet absurde, që ngriti Kocias për të ashtuquajturin dhunim të të drejtave të minoritetit grek, e merr informacionin për llojin e gjuhës dhe të pikëpamjeve të dosjes greke, të cilat premtojnë shansin minimal për rezultatin e bisedimeve të tij në Tiranë.
Interesant është se kur njoftoi lëvizjen e tij për një turne në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, shefi i diplomacisë greke njoftoi edhe për aleancën trepalëshe midis Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, aleancë të cilën në 10 qershor e quajti “spirancë të stabilitetit në Ballkan”. Ai e cilësoi Ballkanin Perëndimor burim instabiliteti, duke harruar se Greqia është aktualisht burimi dhe vatra më e madhe e instabilitetit brenda BE. Kocias e justifikoi këtë aleancë trepalëshe me faktin se janë tri shtete anëtare të BE në rajon. Mirëpo nuk dha shpjegim përse qeveria e re greke nuk përfshin në këtë aleancë shtetesh anëtare të BE në rajon edhe Kroacinë, edhe Slloveninë, të cilat janë anëtare të BE dhe bashkë me tri anëtaret e mësipërme të BE, dhe me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë anëtarë të së vetmes organizatë rajonale, SEECP. Përgjigja duhet kërkuar në prirjen e qeverisë “revolucionare” greke për të ndërtuar akse të shteteve ortodokse në Ballkan dhe për t’i përdorur si instrumente të ndikimit në Ballkan nëpërmjet kishës ortodokse greke. Nëse diplomacia greke do të ishte vërtet laike, do të kishte përfshirë edhe Kroacinë dhe Slloveninë, që janë anëtare të BE dhe të NATO-s dhe natyrisht kanë interes strategjik për stabilitetin në Ballkan.
Ambicia e qeverisë së re greke për kujdestari ballkanike ka të metën themelore që është jashtë kohe, jashtë mundësive dhe tepër, tepër e vonuar. Ballkani Perëndimor është i imbarkuar në radhë të parë në procesin e integrimit në BE, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe katër shtete të tij kanë statusin e kandidatit për anëtar dhe dy shtetet e tjera kanë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE. Madje, në kuadër të BE është krijuar edhe një nismë e quajtur “Ballkan 6”, që përfshin gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në të gjitha mbledhjet dhe punimet, që kanë zhvilluar këto shtete ballkaniko-perëndimore nën kujdesin e BE, Greqia nuk është ftuar asnjëherë. Përderisa Brukseli nuk e quan pjesëmarrjen e Greqisë në këto mbledhje as të nevojshme e madje as dhe për element dekorativ, është e kuptueshme se në çfarë këndvështrimi mund ta shohë Brukseli ndonjë pretendim të qeverisë së re greke për kujdestari ballkaniko-perëndimore.
Qeveria e re greke është jashtë kohe, sepse gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të imbarkuar në Procesin e Berlinit, të udhëhequr nga Gjermania dhe për të cilin kancelarja gjermane Angela Merkel organizoi samitin e gushtit 2014, i cili do të ketë vazhdimin e tij në samitin e Vjenës të gushtit 2015. As në samitin e Berlinit dhe as në veprimtaritë e organizuara në kuadër të Procesit të Berlinit nuk është ftuar asnjëherë Greqia.
Në këto kushte nuk mund të mos shkosh te kërkimi i arsyeve pse qeveria e re greke po tenton të realizojë një kujdestari ballkaniko-perëndimore të Greqisë, megjithëse shenjat janë që tani se ajo përfaqëson një dështim në embrion. Qeveria e re greke e ndërmerr këtë lëvizje diplomatike për të treguar në Bruksel dhe në ndonjë qendër tjetër të fuqisë globale, se Greqia mund të bëhet drejtuesja e rajonit. Qeveria e re greke dëshiron t’i tregojë Brukselit se një kujdestari e Greqisë është e nevojshme për qetësimin dhe stabilizimin e rajonit ballkanik. Me këtë reklamë diplomatike, qeveria greke synon të shtojë argumentet pse Europa duhet t’i ristrukturojë borxhet kolosale dhe t’i falë një pjesë të tyre si shpërblim të një kujdestarie ballkanike.
Ambicia e qeverisë së re greke për një lloj kujdestarie ballkaniko-perëndimore është jorealiste dhe nuk ka pika përputhjeje as me kushtet konkrete të Ballkanit dhe as me aspiratat europiane të vendeve të Ballkanit. Nuk mund të gjesh asnjë nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga shkallët e lidhjeve të tyre me Athinën, që do të pranonte një tutorësi të Greqisë në rajon. Ballkani Perëndimor e ka zgjedhur protektorin dhe ai është BE, drejt të cilit po vrapojnë të gjitha vendet ballkanike pa përjashtim. Greqia, që nuk po e mban dot veten brenda eurozonës, do të bënte mirë të përqendrohej në detyrën e madhe sizifiane të larjes së borxheve, detyrë për të cilën do të duhej të thirrte në ndihmë Atlasin nga mitologjia për të mbajtur qiellin e borxheve, që mund t’i thyejnë kurrizin shtetit. Athina mund të shkojë nëpër Ballkan për ndihmë, por jo për diktat.
Në gjendjen ku është katandisur Greqia dhe me mënyrën “revolucionare” që po drejtohet, është një nonsens historik të vesh baste me politikën e jashtme të kësaj qeverie greke. Në Tiranë duhet ta kenë mirë parasysh këtë realitet.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: