Nga: ANISA YMERI*
TIRANE – Një thirrje që vijon është ajo e pedagogëve të pianos të Universitetit të Arteve, për këdo shqiptar që mundet të kontribuojë për blerjen e një pianoje koncertale për sallën e koncerteve, pasi e para dhe e vetmja piano që shteti ka blerë për këtë institucion, daton në vitin 1966.

Në kushtet kur cilido pianist që mban koncerte në këtë sallë, është i shtrënguar të interpretojë në këtë instrument të degraduar, shumë të vjetër dhe aspak të denjë për të mbajtur koncerte, dhe në pianon tjetër që është dhuruar nga Instituti Italian i Kulturës, piano kjo gjithaq shumë larg një pianoje të denjë për koncerte…në kushtet kur institucionet shtetërore vetëm kanë heshtur, pedagogia e pianos Merita Rexha Tërshana ndërmori këtë nismë së cilës deri më tani i janë bashkuar jo pak shqiptarë.

E shqiptarët që kanë reaguar duke dhënë kontributin e tyre deri më tani janë jo pak dhe shuma e grumbulluar deri më tani është rreth 1.5 milionë lekë të rinj, por sfida s’ka se si të mos mbetet ende e hapur dhe qëllimi është të arrihet shume prej 35 mijë eurosh që duhet për të blerë këtë piano koncertale në Gjermani.

Ndër kontribuesit gjenden emra artistësh shqiptarë të zëshëm në vend dhe atyre që e kanë ndërtuar karrierën në skenat e mëdha të botës, por thirrja vijon….për cilindo që mundet të kontribuojë pasi për këta pedagogë të pianos, për studentët dhe këdo artist që luan e mban koncerte në këtë skenë të madhe e kryesore të kryeqytetit të shqiptarëve, një piano e denjë koncertesh është urgjencë.

Në këtë faqe mund të kontribuojë cilido individ dhe këdo biznesmen…e veç një urgjence që kanë këta artistë, kjo thirrje është një këmbanë alarmi për institucionet publike të cilat aspak nuk investojnë për kulturën në vend!
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: