Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Është promovuar dje në COD (Qendra për hapje e Dialog) në Kryeministri libri “AGJENTË PERANDORAKË- Një familje shqiptare në botën mesdhetare të shekullit të gjashtëmbëdhjetë” të studiuesit anglez Noel Malcolm. Përkthyer nga Kastriot Myftiu dhe botuar nga “Dudaj”, botimi hedh dritë mbi shtigjet e ndjekura nëpër Mesdheun Lindor dhe sterenë europiane të tij nga pjesëtarë të një familjeje venedikase-shqiptare, pothuajse të gjithë të padukshëm për historinë deri më sot. Në bibliotekën e COD, historiani i mirënjohur për çështjet e Ballkanit bashkëbisedoi me akademikë, albanologë, studiues shkencorë, gazetarë e studentë. Të pranishëm ishin Robert Elsie, Bejtullah Destani, Shkëlzen Maliqi, Ferit e Valentina Duka, etj., ndërsa takimi u moderua nga Rudina Xhunga.

“Ata përfshijnë një arqipeshkëv në Ballkan, kapitenin e anijes flamurtare papnore në Betejën e Lepantit, pushtetin prapa fronit në provincën osmane të Moldavisë dhe një dragoman (përkthyes gojor) në ambasadën venedikase. Përmes jetëshkrimeve të këtyre individëve aventurierë përgjatë tri brezave, Noel Malcolm-i shpalos në një dritë të re botën ndërmjet Venedikut, Romës dhe Perandorisë Osmane dhe zbardh çështje të shumëllojshme, si spiunazhi, diplomacia, tregtia e drithit, lirimi i skllevërve me shpërblesë dhe kryengritja antiosmane”, thuhet në librin që përshkruan strategjitë kontradiktore të fuqive të krishtera dhe planet tejet ambicioze të sulltanëve dhe vezirëve të tyre. Botimi është cilësuar një kryevepër e diturisë, po aq sa e rrëfimit të ngjarjeve, pasi “Agjentë perandorakë” ndërton një tablo panoramike si të politikës së fuqive perëndimore, ashtu dhe të marrëdhënieve të ndërsjella mes botës së krishterë dhe asaj osmane. ‘Magjepsëse… një vepër me pasuri dhe të dhëna të mahnitshme… vepra madhështore ‘Agjentë perandorakë’ e autorit Noel Malcolm pasqyron historitë e ndërthurura të dy familjeve shqiptare – Brunëve dhe Brutëve – si një prizëm përmes të cilit mund të vështrohen kontaktet dhe konfliktet që e bënë Mesdheun e hershëm modern”, ka shkruar në “The Guardian” John Gallagher për librin e Malcolm.

Përmes dokumentimit të historisë së dy familjeve shqiptare zbulohen kontaktet apo konfliktet në botën e “pëshpërimave të qyteteve”, rrjetit të shërbimeve inteligjente nga Europa Perëndimore në Azi. Për të shkruar këtë vepër, Malcolm ka shfrytëzuar materiale arkivore në 10 gjuhë, nga Roma në Varshavë, nga Dubrovniku në Maltë. Në lëvizje të vazhdueshme e diversitet gjuhësor janë ndjekur diplomatët, spiunët, priftërinjtë, ushtarët, tregtarët e përkthyesit. Rezultati është një produkt shumë i pasur me detaje të kohës, ku përfshihet edhe historia e patrajtuar sa duhet e faktorit shqiptar në historinë e Europës së atyre viteve. Malcolm ka shkruar mbi 11 libra historie, biografi dhe ese, mes të cilave histori të Bosnjës (1994) dhe Kosovës (1998), të njohura e të diskutuara në rrafsh ndërkombëtar. Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë. Anëtar i Akademisë Britanike, i vlerësuar Kalorës nga Mbretëresha Elizabet.

Autori
Vetë Malcolm tregon se rreth njëzet vite më parë, ndërsa po lexonte një libër italisht të shekullit të gjashtëmbëdhjetë për Perandorinë Osmane, pa se autori bënte fjalë për një traktat rreth provincës kryesore europiane të kësaj perandorie, i shkruar nga njëfarë Antonio Bruni; pastaj, teksa diskutonte për shqiptarët, autori i librit thoshte se informacion rreth tyre gjendej në veprën e “Brunit, bashkatdhetar i tyre”. “Para syve të mi kisha referencën e një teksti për (ose të paktën pjesërisht) Shqipërinë, të shkruar nga një shqiptar – diçka me vlerë të veçantë për ata që studiojnë historinë e këtij vendi, pasi dukej se kjo ishte vepra e parë e llojit të saj, e shkruar ndonjëherë nga një autor shqiptar me emër e mbiemër”, thotë Malcolm, duke shënuar se deri në atë kohë nuk kishte lexuar askund për këtë traktat. “Qëmtimet e mëtejshme shpejt nxorën në dritë se ai ishte i pabotuar, nuk i gjendej as nami e as nishani dhe ishte krejt i panjohur”, shkruan ai ndërsa shton se, “për vetë Antonio Brunin dukej se ky ishte një figurë gati e padukshme, i cili nuk kishte lënë pothuajse asnjë gjurmë të ekzistencës së tij në historinë shqiptare. E vetmja përmendje rreth tij që munda të gjej ishte në një vepër të autorëve të sotëm europiano-perëndimorë për Shqipërinë, Peter Bartl, doyen-it* i cili shënonte se një person me atë emër, me sa dukej, kishte ndërmjetësuar për një prift që kishte shkarë nga binarët (i cili më vonë u bë ipeshkëv shqiptar) në Romë, në një datë të papërcaktuar në të dalë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Gjithçka tjetër, deri në atë fazë, ishte e mbuluar nga heshtja”.

Ai vëren se afërmendsh, qe e mundur që traktati i Brunit të mos kishte mbijetuar në asnjë lloj forme.
Në fund, siç e pranon Malcolm, më tepër fati se aftësia e çoi te ky traktat. “Në një tezë doktorate në italisht, të kohëve të fundit, autori kishte renditur me kujdes të gjithë përmbajtjen e një vëllimi dorëshkrimesh të llojllojshme në Bibliotekën e Vatikanit; teksa e lexoja këtë përmbajtje, vështrimi më rroku emrin e Brunit dhe titulli i veprës së tij sikur më shihte ngultas në dritë të syrit. Brenda dhjetë minutave kisha rezervuar fluturimin për në Romë. Kur më në fund arrita të mbaja në duar dorëshkrimin e traktatit të Brunit, vura re se nuk ishte aq i gjatë sa kisha shpresuar; madje nuk ishte vetëm për Shqipërisë, ndonëse vërtet përmbante shumë çështje me interes në lidhje me këtë vend”.
Traktatin Malcolm e cilëson vepër jashtëzakonisht magjepsëse. “Para meje kisha një tekst të shkruar nga dikush që e njihte vendin në brendësi – jo një diplomat i huaj, duke kërkuar informacion të dorës së dytë në Stamboll apo një udhëtar që nuk e njihte gjuhën e vendasve” dhe ndërsa mendoi ta deshifronte, t’i shtonte një hyrje prezantimi e ta botonte, vë re se këtu nisën problemet e vërteta. “Si mund ta prezantoja këtë vepër pa dhënë një shpjegim se kush ishte Antonio Bruni dhe si, kur e pse ai kishte zgjedhur ta shkruante atë”?

Dorëshkrimi i dha vetëm dy detaje rreth tij. Njëri ishte emri i tij, i dhënë aty si Antonio ‘Bruno’ dhe jo ‘Bruni’, detaji tjetër ishte emri i qytetit nga vinte ai: ‘Dolcigno’ ose ‘Dulcigno’ – Ulqin, në Malin e Zi të sotëm. Ai dinte se njëfarë Xhovani Bruni i Ulqinit kishte qenë arqipeshkv vendës, kështu që e nisa me të, me shpresën se ndoshta gjeja ndonjë lidhje familjare.

“Pak e nga pak, nga ndërthurja më shumë e fatit dhe e një pune mjaft kohëgjatë prej detektivi, arrita të përqok e të puq copëza të historisë së familjes dhe nisa të gjurmoj historitë e disa prej më të afërmve të Antonio Brunit – babait, ungjërve dhe kushërinjve të tij – deri sa, më në fund, mbërrita në një pikë kur u bëra i vetëdijshëm se në duar kisha një projekt shumë më të madh”, shënon Malcolm, duke bërë me dije se “kjo ishte një histori familjare me një pasuri të veçantë dhe me një dramë të vërtetë të rrallë, që ishte e ndërthurur ngushtë me disa prej ngjarjeve më të mëdha të historisë europiane të shekullit të XVI”.

Ndërsa shihte se anëtarët e familjes së Antonio Brunit ishin ndodhur, në kohë dhe vende të ndryshme, në secilin prej atyre vendeve të spektrit te Malcolm zuri të merrte trajtë ideja për ta shkruar këtë libër. “Vetes i vura dy qëllime themelore: të përshkruaja përvojat, aventurat dhe arritjet e një numri njerëzish jashtëzakonisht interesantë dhe në të njëjtën kohë të përdorja biografinë kolektive të tyre si një kuadër i gjerë mbi të cilin të ndërtoja disa përshkrime më të gjera e tematike të marrëdhënieve dhe ndërveprimeve Lindje-Perëndim në këtë periudhë”.

FAMILJA BRUNI
Temat e trajtuara në libër janë të shumta dhe të larmishme. Ato përfshijnë jo vetëm çështje diplomatike dhe strategjike të shkallës së gjerë, që u dhanë trajtë marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe çështje të tilla, si tregtia e drithit, pirateria, kusaria e detit, shkëmbimi dhe lirimi i të burgosurve me shpërblesa, lufta me galera, spiunazhi në Stamboll dhe roli i dragomanëve. “Anëtarët e rrethit të gjerë familjar të Antonio Brunit, puna e të cilëve në shërbim të fuqive perëndimore ndonjëherë merrte përmasa jetike, për faktin se ata ishin të afërm të njërit prej vezirëve më të fuqishëm të qeverisë osmane”, thotë studiuesi.

Sipas tij, marrë së bashku, njerëzit të cilëve ua rindërton jetët në këtë libër ishin të ngërthyer me të gjitha këto gjëra – lidhën miqësi me kardinalë dhe shkëmbyen letërkëmbime me papë dhe monarkë, përfshirë Mbretëreshën Elizabeth I. Njëri ishte arqipeshkv, aktiv në reformimin e katolicizmit në Kuvendin e Trentit; tjetri ishte krahu i djathtë i komandantit të flotës papnore në tri fushata; njëri u përfshi në bisedime për një armëpushim osmano-spanjoll dhe një traktat paqeje osmano-polak, madje u bë edhe ministri kryesor i Moldavisë dhe komandant i ushtrisë së saj; tjetri gati arriti të parandalonte një luftë habsburgo-osmane që do kishte qenë veçanërisht shkatërrimtare, ndërsa një tjetër syresh shkoi me një mision të rrezikshëm te Perandor Rudolf-i, me qëllim që t’i jepej fund asaj lufte. “Rrëfimi në këtë mënyrë i historisë së këtyre personazheve do të thoshte gjithashtu të pikturoje në një kanavacë mjaft të gjerë, historinë ndërkombëtare në të cilën ata u përfshinë”, thotë Malcolm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: