BRUKSEL- Greqia vijon të përjetojë orët e saj të ‘ankthit’, pasi deri më tani nuk është vendosur asnjë marrëveshje në lidhje me borxhin që ajo i detyrohet Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sakaq, pritet që ditën e diel të mbahet referendumi, në të cilën do të marrin pjesë qytetarët grek.
Qeveria greke ka kërkuar një marrëveshje të re për një ndihmë tjetër financiare nga Eurozona, për ndihmën e shkuar dhe që duhet t’ia kthejë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Janë 1.6 miliardë euro që Greqia duhet t’i paguante brenda ditës së sotme.

Athina ka kërkuar një marrëveshje ndihme të re dyvjeçare nga vendet e Eurozonës. Ministrat e Financave të Eurozonës janë mbledhur për të diskutuar lidhur me çështjen e krizës greke, por takimi nuk ka patur rezultat, ndaj nesër do të ketë sërish mbledhje për të marrë një vendim.

DIJSSEBLOEM: NUK KA VEND PËR GREQINË NË EURO, NËSE VOTOHET ‘ JO’
Ora 12:32- “Nuk ka vend për Greqinë në Eurozonë, nëse grekët votojnë ‘jo’ në referendum. Por nëse votohet ‘po’ atëherë ka një perspektivë më të mirë për negociata”. Kështu deklaroi Presidenti i Eurogrupit Jeroem Dijssebloem lidhur me referendumin në Greqi. Ai tha se referendumi ka të bëjë me faktin nëse grekët janë të përgatitur për të pranuar masat e dhimbshme të kursimit, por shtoi se as përgjigja ‘jo’ në referendum nuk do të përmirësojë pozitën negociuese e Greqisë, përkundrazi do verë në telashe atë dhe vendet e tjera të Evropës. Sistemi bankar është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Greqia, argumentoi kreu i Eurogrup. Dijssebloem vuri në dukje se anëtarët e Eurozonës edhe pse me përjashtime janë të bashkuar për problemin e Greqisë dhe bëri të qartë se besimi i kreditorëve tek qeveria greke ka humbur.

VARUFAKIS: MARRËVESHJE TË RE PAS PO-SË? MË MIRË PRES DORËN TIME
Ora 11:39- Ministri grek i Financave Janis Varufakis tha për agjencinë Bloomberg se nëse të dielën shumica e qytetarëve grekë përgjigjet me një “PO” në referendum, ai do të japë dorëheqjen. i pyetur nga gazetarët nëse do të nënshkruajë marrëveshje të re me kreditorët pas një “PO”-je në referendum, Varufakis u përgjigj: “Më mirë pres dorën time”, duke lënë qartë të kuptohet, se nuk do të jetë ai që do të nënshkruajë marëveshje për masa të reja të diktuara nga kreditorët. “Qeveria greke do të përpiqet për një marrëveshje por duke e përmirësuar atë”, tha Varufakis dhe sqaroi se ai nuk do ta nënshkruajë kurrë marrëveshjen ashtu siç është.

LAGARDE: GREQIA TË ZBATOJË REFORMAT, DUHET NISMË SERIOZE
Ora 11:20- Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde, tha se Greqia duhet të vazhdojë me reformat ekonomike, përpara se partnerët evropianë të konsiderojnë zhvlerësimin e borxhit të saj publik. Në një intervistë për Reuters, Lagarde deklaroi se “do ishte shumë mirë të shihnim një nismë serioze për të promovuar reformën dhe pastaj të shohim reduktimin e borxhit grek”. E pyetur se si e vlerëson besueshmërinë e qeverisë greke, Lagarde u përgjigj se FMN i sheh të gjitha qeveritë e zgjedhura, si partnerë të ligjshëm për negociata”. Lidhur me propozimin e fundit të Athinës Lagarde tha se “shumë propozime në të kaluarën janë anuluar, ndryshuar, modifikuar dhe është e pasigurt se cili do të jetë fati i propozimi të fundit të Athinës”. Në fund ajo deklaroi se një proces demokratik është në vazhdim, dhe shpreson se ai do të qartësojë atë që ai dëshiron popullin grek dhe do të vërtetojë autoritetin e qeverisë greke.

SCHULZ: E PËRJASHTOJ MUNDËSINË E MARRËVESHJES ME ATHINËN
Ora 10:10– Nuk ka asnjë shans për marrëveshje me Greqinë para ditës së diel, në të cilën do të mbahet dhe referendumi. Kështu deklaroi kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schulz. Në reagimin e tij, Schulz pohoi se përjashtohet mundësia e arritjes së kësaj marrëveshje me Athinën zyrtare. “E përjashtoj mundësinë e marrëveshjes me Athinën. Nëse Athina do dërgonte letër dy ditë më parë. Më herët do kishte shans për zgjerim të programit”, pohoi Schulz.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: