Celine Dion u shfaq në publik për herë të parë pas katër vitesh. Këngëtarja ishte e pranishme në një ndeshje të NHL mes Vegas Golden Knights dhe Montreal Canadiens në T-Mobile Arena në Nevada.

Pas ndeshjes, ajo shkoi në dhomën e zhveshjes së skuadrës së saj të preferuar kanadeze dhe foli me lojtarët dhe stafin, madje duke u shtrënguar edhe duart. Ajo dukej e lumtur dhe shoqërohej nga djemtë e saj, teksa pozonte për foto me lojtarët.

Celine Dion ka qëndruar larg daljeve publike vitet e fundit për shkak se ka luftuar me një gjendje të quajtur ‘sindroma e personit të ngurtë’, që është një çrregullim neurologjik progresiv që shkakton ngurtësimin e muskujve të bustit, krahëve dhe këmbëve dhe dëmton lëvizshmërinë.

Sëmundja e bëri atë të anulonte turneun në vitin 2022, pas diagnozës së saj.

“Kam një kohë të gjatë që kam probleme me shëndetin”, ka thënë ajo në një postim në rrjetet sociale në atë kohë. “Dhe ka qenë vërtet e vështirë për mua të përballem me këto sfida dhe të flas për gjithçka që kam kaluar. Kohët e fundit jam diagnostikuar me një sindromë shumë të rrallë neurologjike, e cila prek rreth një në një milion njerëz”.

Ajo tha se gjendja ka ndikuar në lëvizshmërinë e saj dhe e ka bërë atë të ketë probleme me ecjen ose këndimin në mënyrën që dikur ishte në gjendje të bënte. Megjithatë, ajo tha se ka shpresa për shërim dhe synon ta zhvillojë turneun e saj në vitin 2024.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb