Nga Patosi, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se ka pasur një skenar për përçarjen e PD-së.

Ai tha mes të tjerash se PD po projekton rrugën e daljes nga kriza. Ai tha se PD është gati që të ofrojë një politikë tjetër, me fytyrë njerëzore.

“Procesi përmes të cilit vini, është përmes zjarrit. I tillë ishte dhe projekti i përçarjes së PD, sa një skenar që mundësonte mosekzistencën e PD. Por i kishin bërë llogaritë gabim. Nuk llogaritën demokratët, nuk llogaritën burrat dhe gratë në këtë sallë dhe jashtë saj. Treguan se PD nuk është ndërtuar për interesa të ngushta personale, por si ëndërr për liri, për demokraci, për mundësi, për zhvillim. Mjaftueshëm qëndruan për këto vlera në këto dy vite e kusur. Është fal jush që PD sot qëndroi dhe rezistoi. Qëndruat për vlerat e kësaj partie dhe jo për gropën e zezë të disa individëve. Të thuash të vërtetën ku gënjeshtra është rregulli, është sakrificë dhe demonstrim lidershipi për t’i dalë sfidës që kemi përpara. Gjithësecili prej nesh sot përballet me përditshmërinë e zymtë që ka ardhur. Papunësi, emigracion të niveleve 90-të, një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Kjo është në të gjithë Shqipërinë, si dhe këtu në patos. Rini që po largohet, sipërmarrje që po rrënohen, shëndetësi e rrëzuar përtokë, janë sot realitet që shqiptarët po përballen. Kjo ka bërë që një shumicë njerëzish të heshtur të shpresojnë ndryshimin e kësaj situate, ndërsa një grusht njerëzish që kanë kapur Shqipërinë na e paraqesin realitetin krejt ndryshe. Se si mund të ketë një vend turizëm me një bujqësi të rrënuar, këtë vetëm ata e shohin.

PD po projekton rrugën e daljes nga kjo gjendje. Shqiptarëve ju ka ardhur në maj të hundës dhe ne jemi përgatitur që të vijmë para njerëzve me një kulturë tjetër. Duke prekur problemet reale dhe për t’iu përgjigjur atyre. Qeverisja e ardhshme mos të jetë me zakone të vjetra, por me burra dhe gra që nuk e shohin pushtetin për xhepat e tyre, por për interesin e të gjithë shqiptarëve. Sprova e parë ishte ta mbajmë Shqipërinë aleate me perëndimin dhe aleatët tanë perëndimor. E dyta tani ku jemi këtu për të bërë një PD për qytetarët dhe për hallet e shqiptarëve. Për këtë ne kemi nisur ndryshimin me anë të Reformës Zgjedhore. Le t’i pyesim shqiptarët duan apo nuk duan listat e hapura, Shqipëria një zonë elektorale, barazia e votës, votimin elektronik dhe votën e diasporës. Jam i bindur që nuk ka. Këto katër propozime nuk i duan vetëm ata që e kanë kapur shtetin pasi nuk duan ta lëshojnë kapjen e shtetit dhe ta mbajnë vendin vetëm në një grusht njerëzish.

Ndaj duan ta kenë në kontroll SPAK-un, pasi e ka vjedhur shtetin me tendera korruptiv. Ndaj ne jemi në krah të drejtësisë dhe SPAK në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni nuk ka ngjyrë e për këtë kushdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve të shkojë para drejtësisë. Ndaj Reforma Zgjedhore dhe mbështetja pa kushte ndaj SPAK, janë dy prioritete kryesore për PD. PD ka bërë gati programin e saj për të gjitha grupet e interesit, për fermerët, për sipërmarrësit, për pensionistët, për rininë, e të gjitha shtresat e shoqërisë. Menjëherë pas procesit që kemi nisur dhe pas përzgjedhjes së ekipit që do t’i prijë këtij programi, do të jemi në terren për ta shpalosur këtë program të hartuar nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Ne jemi në gjendje për të prezantuar një politikë me fytyrë njerëzore. Çmontimin e kapjes së shtetit dhe një ekonomi të vënë në shërbim të njerëzve.
Demokratët e Patosit kanë demonstruar vizionin, qartësinë politike drejt së ardhmes dhe kjo vihet re edhe nga kandidatët për kryetar të degës së PD Patos.”, tha Basha.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb