Të diplomuarit dhe të punësuarit mbas të ashtuquajturës “veprimtari armiqësore” në naftë, në vitin 1974, mund të konsiderohen pa hezitim një brez naftëtarësh tejet i vuajtur, i cili vjen drejt për së drejti pas asaj plejade të naftëtarëve të parë heroikë, të cilët krijuan nga hiçi industrinë shqiptare të naftës dhe gazit në vitet 30-40-të të shekullit të kaluar. Sot pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më dhe një numër shumë i vogël jetojnë ditët e fundit në moshën e tretë, me një pension varfërie. Pas vitit 1992, filloi për naftëtarët tanë një presion i jashtëzakonshëm psikologjik. Nisën kërcënimet me humbjen e vendit te punës. Shkurt vihej në diskutim buka e gojës. Pasiguria për vendin e punës, kushtet e vështira ekonomike dhe pasiguria për jetën i detyroi shumicën e punonjësve të naftës, sidomos inteligjencën e naftës, që të përfundojnë emigrantë nëpër botë. Ligji Nr. 8/2017 “Për Statusin e Punonjësve të Industrisë së Naftës dhe të Gazit” (i mbiquajtur Statusi i Naftëtarit) i shkurtit 2017, me gjithë qëllimin e mirë ose butaforik(për të marrë vota për zgjedhjet e qershorit 2017) për të cilin u përgatit, është i pazbatueshëm sot. Për të përfituar “Statusin Naftëtar” me këtë ligj, është miratuar që kufiri minimal të jete jo më pak se 20 vjet punë në naftë për burrat dhe 15 vjet për gratë. Mirëpo me kusht që të kenë një kontribut sigurimi të përgjithshëm në punë përkatësisht 30 vjet dhe 25 vjet! Bazuar në këtë ligj, pjesa më e madhe e naftëtarëve që kontribuan në industrinë e naftës pas vitit 1974, ku përfshihet ajo pjesë që në masë emigruan jashtë shtetit, ata që u hoqën nga puna padrejtësisht për motive politike, apo një pjesë e inteligjencës që u transferua nga sektori i naftës për shkak të riorganizimit ose për arsye të ndryshme, nuk e përfitojnë “Statusin Naftëtar”. Këta mund të jenë më shumë se gjysma e naftëtarëve.

Atëherë përse bëhet ligji për statusin e tyre, kur nuk e përfitojnë shumica e naftëtarëve? E atyre që kanë naftë në vend të mushkërive? Që vuajnë nga sëmundje respiratore dhe profesionale të egra? Së pari, kjo kategori punonjësish ka punuar më pak ose rreth 20 vjet në industrinë e naftës, sepse emigrimi ose heqja nga puna për arsyet e mësipërme filloi menjëherë pas rënies së sistemit komunist, që në vitin 1992. Ndërkohë që vjetërsia minimale në punë për të përfituar një pension të pjesshëm ose gjysmë pensioni, në të gjithë sektorët e ekonomisë tonë, është sanksionuar me ligj ne 15 vjet kontribut sigurimi. Së dyti, po kjo kategori punonjësish (që për arsyet më lart janë larguar nga nafta), edhe nëse ndonjëri prej tyre ka punuar 20 vjet ose diçka më shumë në industrinë e naftës (ose 15 vjet për gratë), prapë nuk e përfiton Statusin, nga që kontributi i tij/saj i sigurimit është ndërprerë. Pra, nuk plotëson kriterin tjetër të ligjit që kërkon që punonjësi të ketë një kontribut të përgjithshëm sigurimi 30 vjet për burrat ose 25 vjet për gratë! Një kriter realisht absurd. Së treti, naftëtarët e mbledhur dje më 1 maj në Kuçovë, u shprehën se projektligji i përgatitur për trajtimin financiar shtesë të profesioneve të vështira(minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve) është i mangët, pasi nuk përfshin dakordësinë e shprehur që më 26 prill 2018 mes Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që trajtimi financiar shtesë i pensionistëve nga këto profesione të ishte sa 40 për qind e pagës minimale të vendit(që është 260 mijë lekë të vjetra ne muaj), pra 100 mijë lekë në muaj. Trajtimin financiar të fiksuar në projektligj prej pak më tepër se një të tretën e këtij dakordësimi(3.800 lekë në muaj), naftëtarët, njëlloj si dhe minatorët që protestuan përpara Kryeministrisë një javë më parë, e konsiderojnë një tallje ndaj vuajtjeve të tyre. Madje edhe ndaj vullnetit të kryeministrit për të zgjidhur këtë padrejtësi shoqërore të mbartur 28 vjet! Naftëtarët në Kuçovë thanë dje se kosto financiare vjetore për buxhetin tonë të shtetit për ta ndrequr këtë padrejtësi për kategorinë e tyre është vetëm 2.3 milionë euro në vit. Ndërkohë kur buxheti i shtetit nga puna e tyre ka arkëtuar në 15 vitet e fundit 2 miliardë euro në formën e taksave. Naftëtarët i dërguan një peticion kryeministrit, me këto kërkesa të tyre për të ndryshuar statusin që kanë marrë, si dhe projektligjin për trajtimin financiar shtesë. Do ta konsiderojë vallë kryeministri këtë peticion?/Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: