TIRANE

Mjeku që ia kushtoi jetën dhe karrierën e tij letërsisë, Naum Prifti është për përkujtuar në Tiranë në kuadër të datëlindjes së tij të 92-të. Me një krijimtari letrare që përfshin tregime, drama, komedi e deri skenarë filmash, të pranishmit vunë në dukje vlerat e veçantitë e tij, ndërsa bija, Rafaela, foli për anën familjare të tij.

“Në shtëpi babai ishte po prapë shkrimtar, ai e thoshte që vajzat më respektojnë edhe si shkrimtar edhe si baba. Në shtëpinë tonë vërehej disiplina e madhe që kishte babai, ai punonte në mëngjes për disa orë se ndryshe nuk mund të krijonte një vëllim të tillë veprash. Me ne shkonte në aktivitete letrare, takim me letrarë të rinj, kur kishte shfaqje në teatër dhe kjo ishte pjesë e jetës sonë me të, si edhe filmat me skenarët e tij”, tha Rafaela Prifti.

Si shumë artistë të tjerë gjatë diktaturës, as ai nuk i shpëtoi kritikave.

“Drama e ndaluar ishte “Rrethimi i bardhë”, u quajt e gabuar dhe u dërgua për riedukim në Divjakë. E vështirë për të ishte pjesa ku duhej të çoheshe e të bëjë autokritikë dhe të pranoje në çdo mbledhje se kishe nevojë të riedukuohsehe. se nuk e kishe kuptuar mirë metodën dhe duhej të mësoje më shumë”, kujtoi Rafaela Prifti.

Vajza e Naum Priftit, rrëfeu se një pjesë e shënimeve e dorëshkrimeve të tij, që rrokin tema të ndryshme shoqërore dhe po ashtu sensin e tij të humorit, janë ende të pabotuara dhe se si arriti të krijonte balancën mes nevojës për të shkruar dhe asaj për të mbijetuar.
“Ai gjente mënyra për t’i qëndruar besnik vetvetes për t’iu shmangur sadopak skematizmit dhe doktrinës të imponuar e një prej mënyrave ishte gjetja e fabulave në realitet”, kujtoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb