Prodhoi mjaft emocione dhe surpriza finalja e Europa League, mes Villarealit dhe Manchester United, e cila u luajtur në “Stadion Mijeski”, të Gadanskut në Poloni. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1 me 1. Të parët në epërsi kaluan spanjollët, të cilët shënuan në minutën e ’29 me anë të Moreno, i cili shtyu në rrjetë një top të dërguar në zonë nga ana e Dani Parejos.

Pjesa e dytë do të niste vrullshëm nga të dyja krahët, por goli i baraspeshës për “djajtë e ku1”, do të vinte në minutën e ’55-të, me një gol të shënuar nga veteran uruguaian Edison Cavani.

Goli i bomberit u konfirmua vetëm pas konsultimit të arbitri francez Clement Turpin, me VAR, pasi dyshohej për pozicion jashtë loje. Cavani i shkoi pranë edhe golit të dytë në minutën e 72-të, por topi i goditur prej tij me kokë, u largua mbi vijën fatale nga një mbrojtës i spanjollëve, ndërsa koha e rregullt përfundoi në barazim, duke bërë 1ë skuadrat t’i drejtoheshin shtesës 30-minutëshe.

Këto minuta kaluan me shpejtësi dhe fitorja, do të vulosej nga ekzekutimi i 11-metërshve. Plot 22 lojtarë goditën penalltitë, ku lojtarët e Villareal, shënuan saktë 11, përfshirë këtu edhe portierin Rulli, ndërsa për anglezët, gaboi portieri De Gea, duke shënuar kështu dhe humbjen për të tijët.

“Nëndetësja e verdhë” mbyll kështu në mënyrën më të mirë sezonin, pasi triumfon në Europa League dhe njëkohësisht siguron një biletë për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Por rezultati është një rekord historik për trajnerin Unai Emery, i cili ka luajtur plot pesë finale në Europa League, duke fituar 4. Ndërsa Villareal e fiton këtë trofe për herë të parë në histori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb