TIRANE

Posti i Ministrit të Brendshëm krijoi një tjetër përplasje mes Presidencës e qeverisë. Edhe pse Kreu i shtetit refuzoi kandidaturën e kryeministri, ky i fundit nuk ka hequr dorë nga emri i Sandër Lleshit. Burime nga mbledhja e grupit të PS, e zhvilluar mëngjesin e kësaj të hëne, thanë për ‘BalkanWeb’ se gjeneral Lleshi do të emërohet në postin e zv/ministrit të brendshëm, por do të gëzojë kompetencat e ministrit.

Po sipas burimeve, Parlamenti pritet të mblidhet ditën e martë në një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00, për të votuar dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafaj, pas dorëheqjes së tij si ministër i Brendshëm.

“Plani B” i qeverisë vjen pas refuzimit të presidentit të Republikës, Ilir Meta për të mos dekretuar gjeneralin Sandër Lleshi si ministër të Brendshëm.

Zyra e shtypit njoftoi  se presidenti Meta nuk e ka krijuar bindjen për të dekretuar Lleshin si minister të ri.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”- thuhej në njoftimin e shkurtër të Presidencës.

Një javë më parë, pikërisht të shtunën më 27 tetor, Rama njoftoi se kishte emëruar pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, gjeneral Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm. Pak orë pas dorëheqjes, Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo edhe emërimin e Sandër Lleshit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb