Rebelët Huthi të Jemenit kanë mirëpritur vendimin e Italisë për pezullimin e shitjes së armëve Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

“Njoftimi i Italisë për ndalimin e shitjeve të armëve për vendet që janë të përfshira në agresion në Jemen është një veprim pozitiv”, tha zëdhënësi i rebelëve Mohamed Abdel-Salam në Twitter.

Ai tha se masa do të “kontribuojë në mbrojtjen e civilëve (jemenas) dhe mbështetjen e procesit të paqes”.

Të premten, Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi bllokimin e eksporteve të armëve në Arabinë Saudite dhe EBA, pas paralajmërimeve nga aktivistët dhe ligjvënësit në lidhje me përdorimin e armëve në shkeljen e të drejtave të njeriut në Jemen.

Nuk kishte asnjë koment nga Riadi dhe Abu Dhabi lidhur me vendimin italian.

Masa erdhi disa ditë pasi presidenti i ri i SHBA-së Joe Biden njoftoi një pezullim të përkohshëm të shitjes së armëve për Arabinë Saudite dhe EBA-në në pritje të shqyrtimit.

Arabia Saudite dhe EBA-ja janë anëtare të një blloku të udhëhequr nga sauditët që filluan fushatën masive ajrore në vitin 2015 për të parandaluar avancimin ushtarak të rebelëve, një vit pasi grupi rebel i lidhur me Iranin pushtoi pjesën më të madhe të Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, konflikti në Jemen deri më tani ka marrë jetën e 233 mijë njerëzve.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb