TIRANE- Një ditë pas dëgjesës me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, regjisori Alert Çeloaliaj thotë se artistët janë kundër cënimit të territorit të Teatrit, dhe kundër shembjes së tij. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, ai tha se artistët kanë kërkuar pezullimin e projektligjit për Teatrin.

Sipas Çeloaliajt, Teatri Kombëtar ka rëndësi të madhe simbolike, dhe mbart vlera të mëdha kulturore.

“Kemi kërkuar pezullimin e projektligjit për Teatrin. Jemi kundër cënimit të territorit të Teatrit, dhe kundër shembjes së tij. Por jemi për rikonstruksionin e tij. Ne kemi prej 8 shkurtit që flasim për këtë çështje, pasi ka patur mungesë transparence. Shumica e komunitetit të artistëve është në mbrojtje të godinës së Teatrit, pasi është një simbol shumë i madh. Ne nuk prisnim të zgjidhej gjë nga takimi me kryebashkiakun Veliaj. Duhet të theksojmë se nuk bëhet fjalë për tulla e llac, por për rëndësi simbolike. Padyshim që ka edhe zëra të ndryshëm brenda nesh. Të gjithë kanë thënë se na duhet një teatër i ri, pasi kushtet aty janë të mjerueshme, por jemi kundër shembjes së godinës së teatrit. Me shumë sesa tullat, ky teatër ka simbolikën e vet. Vlera që mbart është shumë më e madhe se vlera e tullave, llaçit, etj. Do të ndalim prishjen abuzive të Teatrit Kombëtar. Çdo ndërhyrje do të ishte arbitrare, pasi nuk është dëgjuar pjesa më e madhe e komunitetit, si dhe nuk kanë dijeni qytetarët se çfarë do të bëhet aty”, u shpreh regjisori Alert Çeloaliaj.

Sakaq, pasditen e sotme në orën 19:00 nis protesta e artistëve kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: