Në një ceremoni të përbashkët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadori gjerman Peter Zingraf, i Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, dhe Drejtoresha e Zyrës së KfË-së në Shqipëri, Brit Horschke, dhanë lajmin e mirë për rinovimin me efiçencë energjetike të 19 konvikteve të Qytetit Studenti dhe ndërtimin e 3 godinave të reja me standarde europiane.

Projekti siguron financim nga qeveria gjermane, përmes Bankës për Zhvillim KfË, dhe nga Bashkimi Evropian, përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, nga i cili do të përfitojnë 4.700 studentë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kujtoi gjendjen në të cilën ishin godinat e Qytetit Studenti 8 vjet më parë, me hapësira të zaptuara, pa administrim dhe në gjendje të degraduara. “Ishin zaptuar në emër të dy gishtave, liri-demokraci, por liri-demokracia mbaron ku fillon liri-demokracia e dikujt tjetër, jo zaptimi i godinave të studentëve. Por, a duhet të fokusohemi tek e kaluara apo tek e ardhmja? Vendimi është të fokusohemi tek e ardhmja, ndaj besoj se ky komunitet këtu, me 4700 – 4900 studentë çdo vit, është ndoshta prurja më e lartë intelektuale që i vjen Tiranës nga pjesët e tjera të Shqipërisë ose edhe pjesët e tjera të shqiptarisë, duke qenë se kemi edhe studentë nga Kosova, Presheva, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut”, tha Veliaj.

Ai renditi punët që janë bërë me konviktet në Tiranë, me një cilësi të standardeve europiane. “Bashkë ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në Qytetin Studenti apo te godinat e Inxhinierisë së Ndërtimit. Hapësirat aty janë totalisht të transformuara. Pas tërmetit investuam tek dy godinat e Mjekësisë, vendosëm t’i rindërtonim aty, afër fakultetit. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me Vinny Mass dhe MRDV nga Roterdami, i njëjti arkitekt që po bën Piramidën; i njëjti arkitekt që ka bërë edhe godinat e Universitetit Bujqësor në Kodër Kamzë, për të treguar se po i trajtojmë të gjithë njësoj”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ky projekt i vjen në ndihmë Bashkisë së Tiranës, për të ulur faturën e shpenzimeve në Qytetin Studenti. Ai shtoi se godinat do të jenë vetëm për studentët dhe ftoi qytetarët që kanë jetuar në këto ndërtesa, që t’ua lirojnë hapësirat studentëve dhe të mos bëhen pengesë.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Por, nuk na duhet vetëm eficenca energjetike – na duhet edhe eficencë emancipuese për shoqërinë tonë. Pesë godina nga 19 janë në fazën e parë të punës dhe po bëhen nëpërmjet këtij bashkëpunimi dhe kësaj skuadre fantastike, ndërkohë tre godinat e tjera që inspektuam po bëhen me fondet e qeverisë dhe bashkisë. Unë nuk hyj tek ata politikanë që mundohen ta kenë mirë me të gjithë. Ju e dini, zgjedh që të bëj beteja dhe t’iu qëndroj deri në fund atyre. Në godinat e reja nuk do të kthehen më ata që i zaptuan ato me gishtat përpjetë në vitet ’92-93 apo ‘97-‘98. Godinat do të jenë ekskluzivisht për studentët. Sepse unë besoj se një shoqëri e mirë nuk mund të zaptojë të ardhmen. Të zaptosh Qytetin Studenti do të thotë të zaptosh mundësinë e së ardhmes për vendin tonë. Lajmi i mirë për këta qytetarë është se Bashkia e Tiranës ka një fond për bonus qiraje, ka banesa sociale, ka edhe kredi të buta si zgjidhje”, sqaroi Veliaj.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen që po i jep arsimit në Tiranë. “Falenderoj në mënyrë të veçantë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, jo vetëm për mbështetjen që i jep arsimit në përgjithësi, por për vendimin e guximshëm që mori në fillim të këtij viti akademik, duke përgjysmuar tarifat e studentëve që akomodohen në rezidencat universitare, ashtu sikurse transporti falas për të gjithë studentët. Ishte një vendim në momentin e duhur”, tha Kushi.

Ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf nënvizoi se për Gjermaninë ka një rëndësi të veçantë mbështetja e Shqipërisë në arsimimin e të rinjve të saj, për t‘u mundësuar atyre të studiojnë, jetojnë, të shpalosin aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë për ekonominë këtu, në Shqipëri. “Përmes këtij projekti ne po përmirësojmë kushtet e jetesës për 4.700 studente dhe studentë – 70 % e tyre vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Në të njëjtën kohë këto masa mbështesin Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt efiçencës së energjisë dhe në përmbushjen e kritereve për anëtarësimin në BE”, deklaroi ambasadori gjerman.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që vazhdojmë me mbështetjen tonë ndaj studentëve shqiptarë dhe të rinjve të këtij vendi. Së shpejti, mijëra studentë shqiptarë do të kenë të njëjtat kushte jetese si bashkëmoshatarët e tyre në BE, në mos më të mira. Siç e dimë të gjithë, në të kaluarën, mes këtyre godinave të Qytetit Studenti, energjia jetike e rinisë ndryshoi një komb të tërë. Jemi të sigurt se brezat e ardhshëm do ta marrin këtë projekt novator si një model të ardhshëm për t’u përpjekur për më shumë efiçencë, tranzicion të gjelbër dhe zgjidhje miqësore me mjedisin”, deklaroi i Ngarkuari me Punë i BE-së Alexis Hupin.

Përmirësimet në infrastrukturën e konvikteve do ta ulin konsumin e energjisë mesatarisht me 20% krahasuar me nivelet aktuale. Ato gjithashtu do të promovojnë infrastrukturën sociale për studentët pa të ardhura. Minimumi 70% e kapacitetit të konvikteve të rehabilituara do të zihet nga studentë me të ardhura të ulëta. Faza e parë konsiston në punime ndërtimi për një grup prej 5 ndërtesash, të cilat pritet të përfundojnë brenda 9 muajve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb