TIRANË

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Shkodrës, RENEA-n dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë arrestuar sot dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Nga ky operacion u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim Barush Bregu , 33 vjeç, lindur në Shkodër. Siç njofton policia, ky shtetas rezulton i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu po gjatë operacionit  u arrestua në flagrancë edhe shtetasi B. Ç. 21 vjeç, banues në Shkodër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga të dhënat e policisë, mësohet se 33-vjeçari rezulton i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është  i dyshuar për ngjarje të tjera të rënda  kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër.

Njoftimi i policisë:

Operacion për kapjen e personave në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Finalizohet me sukses operacioni policor  “Kompleksi”. Kapet dhe arrestohet një pjestar i një grupi kriminal. Arrestohet  edhe një  shtetas tjetër për përkrahje të autorit të krimit.Operacioni  nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Renean, FNSH  e forcat Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Operacioni  u zhvillua në lagjen “Komuna e Parisit”, Tiranë, ku në një banesë të marrë me qera u kap dhe u arrestua shtetasi i shpallur në kërkim:

Barush Bregu , 33 vjeç, lindur në Shkodër.  Ky shtetas është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje , pasi në shtator  të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia,  në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Gjithashtu ky shtetas është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është  i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda  kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Po gjatë operacionit  u arrestua ne flagrance dhe  shtetasi B. Ç. 21 vjeç, banues në Shkodër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Materialet  do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme,  për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”-thuhet në njoftim.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi më herët për  “Balkanweb” se ky operacion po kryhet për llogari të një qarku tjetër dhe tashmë gjithçka është sqaruar edhe nga policia.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb