Alfred Lela ka kritikuar zgjedhjen e bërë nga PD më 11 maj, për hyrjen në garë me listat e mbyllura dhe emrat e përfshirë aty.

Ai tha se duhej një rihapje e letrave, edhe pse është i mendimit që deri diku elita e partisë duhet të ruhet.

I ftuar në “Kjo Javë”, Lela komentoi edhe zgjedhjet për kreun e PD, që pritet të mbahen më 23 maj, ku tha se nuk do të preferonte që të zhvillohej një garë e stisur, edhe pse ishin të gjitha mundësitë që diçka e tillë të sajohej.

“Ne mund të shpiknim edhe një Maqo Lakror. E kemi parë dhe këtë. Unë këtë nuk do të doja. S’do të doja ta shihja, të shihja, ishte zoti Berisha me një të tillë. Pra, gara që nuk dua të shoh është një garë e cila është e simuluar, është e stisur, nuk është e vërtetë. Partia Demokratike është e mbijetuar, është e shpëtuar, është e shndërruar, është e rikonfirmuar. Edhe këtë ne duhet ta themi falë një personazhi që quhet Sali Berisha. Partia Demokratike vjen nga zgripi. Ne i mbajmë mend ngjarjet, rrëmbimin e vulës, rrëmbimin e firmës, të gjitha. Pra, ka pasur një Odise të plotë dhe në krye të përpjekjeve për ta sjellë Partinë Demokratike në bregun e normalitetit ka qenë Sali Berisha. Për listta e mbyllura, elita e partisë si parim ruhet. Pra, duhet të ketë një përpjekje që elitën, ose po themi veteranët e partisë, duhet t’i ruash deri diku. A duhej bërë kjo ruajtje? Unë këtu e kam kritikën time. Po, mund të ishte bërë një reshuffle, pra mund të ishte bërë një ri hapje e letrave deri diku. Po pse nuk bëhet? Kini parasysh edhe një herë specifika e PD, deri dje ka qenë në kushte mbijetese jonë kushte luksi. Partia Demokratike nuk është përballë një kundërshtari tipik demokratik. Ka përballë një kundërshtar atipik, që ta manipulon elektoratin, përdor patronazhistët, përdor miliardat e arkës së shtetit për t’jua vënë në funksion dhe për t’i joshur pensionistët e fashave të tjera votuesi. E ka fryrë administratën mbi 50 mijë vetë. Të gjitha këto janë, po them, janë pozicione jashtë loje dhe në këtë sens, ti duhet të luash me të njohurën tënde. Pra, me një asht, po themi, ose me kockën politike, e cila ka rezistuar, ka qëndruar dhe e di që do ta bëjë betejën. Nuk mund të eksperimentosh me një betejë të cilën kundërshtari i ka thyer çdo logjikë politike dhe çdo respekt për rregullat e lojës”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb