NGA ERMELINDA HOXHAJ*
Pensioni social me vendimin të Këshillit të Ministrave, datë 27.7.2016 ka pësuar një rritje minimale prej 108 lekësh. Shuma që përfitojnë rreth 1800 persona, që vitin e shkuar plotësonin kushtet për të marrë pension social është 6.750 lekë në muaj.

Ndërkohë që me ndryshimin e miratuar nga qeveria bëhet 6858 lekë në muaj. Vendimi nr. 551, për disa ndryshime e shtesa në vendimin nr. 77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga Sistemi i Sigurimeve Shoqërore dhe Sigurimi i Kujdesit Shëndetësor”, të ndryshuar është botuar në Fletoren Zyrtare të datës 5 gusht, por ama efektet financiare sipas VKM-së nisin nga data 1.8.2016.

Të drejtën ta përfitojnë këtë pension kanë ata persona, të cilët nuk kanë qenë kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore, ose ata që kanë më pak se 15 vite pune të siguruara dhe kenë mbushur 70 vjeç.

Përfituesit
Ligjit i ri “Për sigurimet shoqërore”, veç ndryshimeve të tjera, parashikon marrjen e një pensioni social për ata persona, të cilët nuk plotësojnë kushtet për të marrë pension të plotë apo të reduktuar pleqërie.

Sipas ligjit, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç dhe është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit.

Gjithashtu, për të qenë përfitues, këta persona nuk duhet të plotësojnë kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore (pension të plotë pleqërie, pension të reduktuar pleqërie, pension invaliditeti) si dhe nuk duhet të kenë asnjë lloj të ardhure, që përfitohet nga çdo burim tjetër financiar.

Gjithashtu, përfitues mund të jenë edhe ata persona që kanë disa të ardhura, por që janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Kështu, ministria e linjës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka përcaktuar kriteret, procedurat dhe dokumentacionin për përfitimin e tij.

Sipas ligjit, për ata persona, të cilët mund të kenë disa të ardhura, por që janë më të ulëta se masa e pensionit social, vlera e parave që do të përfitojnë do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Për shembull, në rast se një person ka të ardhura mujore në vlerën 3500 lekë, atëherë ai do të përfitojë: 6858 lekë – 3500 lekë = 3358 lekë. Udhëzimi i MMSR, i cili mban datën 6 korrik 2015, përcakton me saktësi se cilat do të quhen të ardhura nga burime të tjera, që në rast se përfitohen, do të zbriten nga shuma totale.

Kështu, të tilla do të quhen të ardhurat nga toka bujqësore, që siguron familja në përbërje të së cilës është personi, i cili aplikon për të përfituar pension social. Po ashtu, sipas udhëzimit, nga masa e pensionit social do të zbriten të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike, të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë (dhënie me qira ose në përdorim të personave të tjerë për një aktivitet ekonomik fitimprurës, i cili nuk është në emër të kërkuesit të pensionit social), si dhe të ardhurat mujore nga depozitat bankare në emër të kërkuesit. Bashkëngjitur shkrimit janë dokumentet që duhet të plotësojnë personat për të përfituar pension social.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: