PRISHTINE- Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është ngritur aktakuzë për terrorizëm kundër 86 personave. Për dy prej tyre Gjykata ka refuzuar aktakuzën, ndërsa 25 të tjerë janë në fazën e gjykimit.

Reshat Millaku nga Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se aktualisht nën hetime janë 67 persona.Sipas tij, këto aktakuza kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në Siri, e jo Afganistan.

Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, mbi 300 persona kanë udhëtuar në zonën e konfliktit, prej të cilëve mbi 55 janë të deklaruar të vrarë/vdekur.

Sipas mediave kosovare, nga Policia e Kosovës thuhet se “Numri i personave që aktualisht gjenden në zonën e konfliktit është mbi 100 persona”.

Sipas zyrës për informim të Policisë së Kosovës numri i personave që besohet se kanë qenë në zonën e konfliktit dhe të cilët janë kthyer në Kosovë është mbi 115 persona.

“Deri më tani janë arrestuar mbi 140 persona, nën dyshimin për raste që ndërlidhen me terrorizëm”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, në Gjykatën Themelore në Prishtinë thonë se janë në procedurë penale gjithsej 35 të akuzuar që ndërlidhen me vepra penale të terrorizmit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: