TIRANE – Deputeti socialist i Dibrës, Ulsi Manja reagoi sot në lidhje me videoskandalin ku u përfshi kryebashkiaku i Peshkopisë, Shukri Xhelili, duke theksuar se qeveria e dha përgjigjen me shkarkimin e tij, ndërsa tashmë drejtësia duhet të bëjë punën e saj.

Deputeti Ulsi Manja inkurajon drejtësinë “t’i shkojë deri në fund zbardhjes së përgjegjësive të kryebashkiakut dhe personave që mund të kenë qenë pjesë e këtij skandali”.

“Si deputet i Dibrës u kërkoj ndjesë qytetarëve. Kryebashkiaku është shkarkuar, tashme t’ia lemë drejtësisë të zbardhë përgjegjësitë, që janë përgjegjësi personale. Ne kemi vullnetin e palëkundur për të vijuar projektet tona në Dibër, përgjegjësitë janë individuale.”- deklaroi deputeti socialist.

SPAHIU: SHKARKIMI TË SHOQËROHET ME FALJE PUBLIKE. KRYEMINISTRI TË REAGOJË PËR NGJARJEN
Deputeti Përparim Spahiu ka reaguar për video-skandalin me kreun e Bashkisë Peshkopi. Spahiu tha se duhet mbajtur përgjegjësi për çështjen, ndërsa theksoi se shkarkimi duhet të shoqërohet me falje publike.

Deputeti Spahiu i kërkoi kryeministrit Rama që të reagojë për ngjarjen.

“Ndjesa është minimumi që mund të bëhet për Dibrën. Nuk besoj se deklaratat e Manjës janë për mua. Për çështjen janë prononcuar që dje disa deputetë”, tha Spahiu.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb