TIRANË

Aktivisti Adriatik Lapaj, i cili prezantoi dje lëvizjen “Shqipëria bëhet” ka folur sot në emisionin “Open” në News24 për fokusin, parimet dhe qëllimet e kësaj lëvizjeje.

Lapaj u ndal te situata në vend me shpopullimin, teksa tha se sot Shqipëria është një republikë e vdekjes.

“Shqipëria ka më shumë vdekje se lindje në vitin 2022. Sot kjo është një republikë e vdekjes. Vdesin shumë më shumë njerëz se sa lindin. Hiq Tiranën, 9 qarqe në vend kanë më shumë vdekje se sa lindje. Po të fusim dhe faktin se 5 shqiptarë në orë largohen nga ky vend, ne shkojmë në një shifër që këtë vend e çon drejt shpopullimit total në 20 vitet që vijnë. Këto janë fakte, unë iu referova INSTAT-it”, tha ai.

Duke shpjeguar arsyet se përse kjo lëvizje nuk kthehet sot në një parti politike, Lapaj theksoi se nuk është qëllim në vetvete karriera në politikë, por është një nevojë kjo që po bëjnë.

Ai shtoi se nëse bëjnë sot një parti politike me ideologji do përjashtojnë njërën ose tjetrën palë.

“Ka një procedurë, ka një rregull, ka një hierarki të bërjes së gjërave. Nuk niset te zh-ja, por nga a-ja. Jemi ne tani se unë i vetëm nuk e ndryshoj dot, është ekipi, është grupi dhe duhet të krijohet vullneti i madh popullor. Ne po i japim mundësi vendit të hapet debati dhe po e shtyjmë procesin. Rrugës pasi të ezaurohen rrugët, sigurisht që vullneti qytetar do krijojë një ortek që unë besoj nuk do ndalet. Këto janë gjëra që do ndodhin, por çështja është koha, nuk e dimë do jetë shpejt apo vonë.
Nuk po i lëmë njerëzit të presin. Nuk duam të paragjykojmë askënd. A ka socialistë që e duan hapjen e garës, që e duan miratimin e një ligji për referendumet, a ka socialistë që duan depolitizimin e administratës së zgjedhjeve, unë besoj që ka. A ka të djathtë që duan të njëjtat gjëra, besoj që ka. Nëse bëjmë sot parti politike me ideologji do përjashtojmë njërin ose tjetrin. Jo, ne nuk duhet të ngremë mure në këtë fazë. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë, socialistë, demokratë, me parti, pa parti sa iu takon këtyre gjërave sepse këto janë pika që iu përkasin të gjithëve”, tha Lapaj.

Ai shtoi se “pasi ne si shoqëri të kemi imponuar rregullat e lojës, hapjen e garës, referendumet si koncept, votën e emigrantëve, depolitizimin e administratës zgjedhore, atëherë secili të vrapojë në drejtim të vetë dhe ndoshta socialistët kthehen dhe votojnë prapë socialistët, demokratët kthehen aty”.

“Ndoshta ka nevojë për një parti të re nesër që ia del të mbledhë gjithë këta dhe të bëjë një performancë tjetër”, u shpreh Lapaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb