Spitali i Traumës ka sqaruar debatin e Bardh Spahisë me ministren Ogerta Manastirliu lidhur me urgjencat kirurgjikale që janë kryer nga muaji mars i 2020, kohë kur Shqipëria hyri në pandemi.

Spahia akuzoi Manastirliun se kishte deklaruar se ishin kryer 19 mijë e 100 urgjenca kirurgjikale, duke cilësuar se është një shifër jashtë çdo imagjinate.

Por Trauma në reagimin zyrtar thekson se ishin 29 mijë pacientë që u paraqitën gjatë kësaj periudhe, dhe vetëm 3 mijë e 498 prej tyre u operuan.

Më tej thuhet se Trauma do të vijojë të bëjë punën me përkushtim e profesionalizëm si gjatë tërmetit, edhe tashmë së fundmi gjatë pandemisë së COVID-19.

 

 

NJOFTIMI NGA SPITALI I TRAUMES

Në vijim të kryerjes së misionit me të cilin është ngarkuar Spitali Universitar i Traumës si dhe në respekt të punës së palodhur të stafit të këtij spitali, sqarojmë opinionin publik se: Nga muaji Mars 2020, kohë në të cilën SUT u ngarkua që të presë e trajtojë jo vetëm urgjencat e lidhura me traumën, por edhe urgjencat e kirurgjisë së përgjithshme, urologjisë dhe kirurgjisë torakale, në urgjencën e këtij spitali janë paraqitur 29,100 pacientë, mesatarisht 161 pacientë në ditë. Prej tyre janë operuar 3498 (mesatarisht 580 pacientë/muaj).
Ne do të vijojmë ta bëjmë punën tonë me përkushtim e profesionalizëm, siç e kemi treguar gjatë situatës së vështirë të tërmetit dhe së fundi, gjatë situatës së epidemisë në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb