Studimet e reja të paraqitura në Sesionet Shkencore të Shoqatës Amerikane të Zemrës në Filadelfia nxjerrin në pah rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e marihuanës te të rriturit, duke përfshirë një rrezik në rritje të sulmit në zemër, goditjes në tru dhe dështimit të zemrës.

Një studim zbuloi se të rriturit që nuk pinë duhan, por përdorin marihuanë, ishin në një rrezik më të lartë të sulmit në zemër dhe goditjes në tru kur shtroheshin në spital.

Për më tepër, individët që përdornin këtë drogë psikoaktive nga bima e kanabisit çdo ditë kishin një probabilitet 34% më të lartë për të zhvilluar dështim të zemrës. Këto gjetje janë në përputhje me Deklarimin Shkencor të Shoqatës Amerikane të Zemrës 2020, që theksoi rreziqet e mundshme kardiovaskulare që lidhen me përdorimin e drogës.

Robert Page II, kryetar i grupit të shkrimit vullnetar për Deklarimin Shkencor të Shoqatës Amerikane të Zemrës 2020, theksoi se të dhënat e vëzhgimit sugjerojnë fuqishëm se përdorimi i marihuanës, qoftë rekreativ apo medicinal, mund të çojë në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Ai vuri në dukje se përdorimi i marihuanës mund të rrisë përqendrimin e monoksidit të karbonit dhe katranit në qarkullimin e gjakut, ngjashëm me pirjen e duhanit, të cilat të dyja kanë qenë të lidhura me problemet e zemrës.

Një gjetje tjetër kryesore është se individët me sëmundje kronike, si presioni i lartë i gjakut, diabeti i tipit 2 ose kolesteroli i lartë, mund të jenë më të ndjeshëm ndaj ndikimit negativ të përdorimit të marihuanës në shëndetin e tyre kardiovaskular. Presioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli i lartë u identifikuan si parashikuesit kryesorë të ngjarjeve të padëshiruara të zemrës dhe trurit te përdoruesit e këtyre gjetheve të thara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: