Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është i përfshirë në ngjarje kriminale, pasi sipas tij “ai ka urdhëruar edhe vrasje”. Berisha i referohet dëshmisë së një kërkuesi për azil në Mbretërinë e Bashkuar i cili ka deklaruar se në Shqipëri i rrezikohet jeta, ndërsa ka hedhur akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama e ish-ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
Berisha u shpreh se Rama po mbrohet nga mazhoranca ndaj edhe nuk po paraqitet në asnjë interpelancë të thirrur nga deputetët e opozitës.
“Pse e fshihni kreun e organizatës kriminale Edi Rama nga Kuvendi. Pse nuk paraqitet në asnjë interpelancë, pse turpëroheni nga veprat e tij dhe pranoni t’ju llomotisë në mbledhje, pse e fshihni. Tre ditë më parë e akuzuan në sallën e gjyqin nën hetim se ka porositur vrasje. Jeni dëshmitar kur i thoshte tjetrit: Të di targën, pra e merr në shënjestër. A ekziston për mazhorancën ligji i konfliktit të interesit, 8400 metër katror park dhe oborr në sarajet e Surrelit”, tha ai.
Sali Berisha:
Së fundi, unë denoncova edhe aty. Një i burgosur e denoncoi nën betim para gjykatësit se ka porositur vrasje. Heshtje varri nga Edi Rama dhe ministrat. Nuk di cili ministër, se më duket nuk e thoshte me emër, se këta janë tre, dhe të tre janë kriminelë ata. Më shumë është Taulanti vetëkuptohet, por edhe ata dy të tjerët janë inoçentë. Janë edhe ata të përzier. Edhe kjo një shkak tjetër. Por nuk mund të jenë axhendë e parlamentit, ndaj dhe ky parlament po humbet çdo kuptim. Nuk mund të jetë integrimi. U kujtuan tani pas protestave tona ta sjellin raportin pas kaq muajsh.
Çfarë ndodh atje? Duhet ta dinë shqiptarët.
Dje në Bruksel u vendos të krijohet grupi i punës për hartimin e traktatit për integrimin përfundimtar të Malit të Zi në BE. Pasi foli për Malin e Zi, komisionerja e zgjerimit, Marta Kos, tha se mbeten themele të këtij procesi lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor.
Pra, mbeten arrestimet për korrupsion dhe mosbllokimi i drejtësisë, çka Shqipëria nuk e lejon. Ne edhe njëherë u themi shqiptarëve se ata që vjedhin janë pengesë kryesore e integrimit, ata të cilët përdorin pushtetin si mburojë ndaj drejtësisë, janë pengesë kryesore ndaj integrimit.
E kundërta është e vërtetë, denoncimet tona e ndihmojnë integrimin sepse ato dëshmojnë se ka edhe shqiptarë të cilët nuk pajtohen me gjendjen dramatike të krijuar nga Edi Rama në Shqipëri.
