Bayern Munich vazhdon marshimin drejt një sezoni historik, duke siguruar finalen e Kupës së Gjermanisë pas fitores 2-0 në transfertë ndaj Bayer Leverkusen.
Bavarezët, të saposhpallur kampionë, dominuan sfidën nga fillimi në fund dhe treguan qartë diferencën në cilësi. Pas një fillimi të balancuar prej rreth 20 minutash, ishte Harry Kane ai që zhbllokoi takimin në minutën e 22-të, duke finalizuar saktë nga afër dhe duke shënuar golin e tij të shtatë në këtë edicion të kupës.
Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany vazhdoi të kontrollojë lojën, duke krijuar raste të njëpasnjëshme, ndërsa Leverkusen e pati thuajse të pamundur të rrezikojë portën e Manuel Neuer. Deri në fundin e pjesës së parë, statistikat flisnin qartë në favor të Bayern-it.
Në pjesën e dytë, vendasit tentuan të reagojnë dhe rritën agresivitetin në lojë, por pa konkretizuar rastet. Momenti më i rrezikshëm erdhi nga Nathan Tella, i cili u ndal nga një pritje e sigurt e Neuer.
Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt fundit me avantazh minimal, në kohën shtesë Luis Díaz vulosi gjithçka me golin e dytë, duke i dhënë qetësi bavarezëve dhe duke prerë përfundimisht biletën për në finale.
Tashmë, Bayern Munich pret fituesin e përballjes mes VfB Stuttgart dhe SC Freiburg, ndërsa vijon të mbetet në garë për të gjitha trofetë këtë sezon, me synimin e qartë për “tripletën”.
Pas ndeshjes tekniku belg Vincent Kompay u shpreh tepër i lumtur për performancën e djemve të tij: “Që nga dita ime e parë në klub, është folur për rikthimin në Berlin dhe kjo është shumë e rëndësishme për klubin,” deklaroi trajneri i Bayern-it, Vincent Kompany. “Duket sikur nuk kemi kohë ta shijojmë suksesin, sepse mendojmë menjëherë për ndeshjet e radhës. Por e rëndësishme është që jemi ende në garë në të gjitha kompeticionet.”, theksoi ndër të tjera tekniku i bavarezëve.
