Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, profesori i Mjekësisë Veterinare Kristaq Berxholi ka analizuar mënyrën e kontrollit dhe testimit të mostrave të qumështit, vlerësimin e ngarkesave somatike dhe mikrobike. Nëse vlerësimi nuk bëhet sipas kritereve, profesori thotë se do të marrim një rezultat të gabuar dhe do vrasim veten me duart tona.

“Kosova ndryshe nga ne e ka të ngritur strukturën e kontrollit të ushqimeve dhe sistemin veterinar. Jemi në një moment delikat sepse duhet të vleresohen problematikat që mund të kenë lopët, sëmundjet dhe ata që marrin mostrat duhet t’i evidentojnë në një letër të veçante, pasi ndikojnë në numrin e ngarkesave somatike dhe mikrobike. Nëse nuk bëhet ky vlerësim, atëherë do të kemi një rezultat të çuditshëm, kemi për të vrarë veten me duart tona. Dikur në ferma ishin të organizuar shërbimi veterinar që i çonte mostrat në ISUV për analiza, që të kishim një pasqyrim të situatës. Edhe për ndotjen e qumështit nuk kemi asnjë plan të hartuar nga Ministria e Bujqësisë. Nga ana tjetër nuk kemi as Drejtori Veterinarie që të ushtrojë kontrolle, pasi kemi fermerë të përgjegjshëm që marrin mostra nga të gjitha lopët, por ka edhe të tjerë që mund të marrin vetëm nga 2-3 lopë dhe kjo është e dëmshme edhe për vetë fermerin. Duhet mbështetje financiare edhe për fermerin pasi duhet të lëvizë me mjetin e tij për të ushtruar kontrolle. Jam shumë skeptik për realizimin siç duhet të kontrollit dhe tesimit të mostrave të qumështit, nëse nuk i marrim brenda kritereve. AKU duhet të sakrifikojë për këtë periudhë, shteti duhet t’i mbështesë, pasi po e la në dorë të fermerëve, ne do të dështojmë”-tha Berxholi.

Përsa i përket miratimit të ligjit të ri për Shërbimin Veterinar, Berxholi tha se nuk ka asnjë ndryshim përveç shtimit dhe heqjes së disa neneve që kanë qenë dhe se fatkeqësisht Shërbimi Veterinar vazhdon të vuajë paaftësinë dhe mosinteresin e drejtuesve të lartë. Profesori foli edhe për shifrat që publikon INSTAT dhe sëmundjen e “Gjuhës Blu”.

“Nuk kemi një ligj të ri për Sherbimin Veterinar, janë shtuar vetëm disa nene e disa janë hequr dhe nuk kam qenë dakord për këto ndryshime, pasi nuk përafrohen me atë të BE. BE nuk ka besim tek institucionet tona dhe Shërbimi Veterinar vazhdon të vuajë paaftësinë dhe mosinteresin e drejtuesve të lartë. Nga viti 2018-2019, kemi 27 mijë krerë më pak dhe shifrat e INSTAT dhe të Ministrisë së Bujqësisë janë skandaloze, nuk përputhen. Ndërsa ‘Gjuha Blu’ është një sëmundje infektive, por jo ngjitëse, vazhdon të qarkullojë në vendin tonë. Kjo sëmundje shfaqet vit pas viti në kafshë të ndryshme dhe transmetohet nga mushkonjat, sidomos gjatë muajit shkurt. Ndaj duhet studim dhe vaksinim në shkurt deri në 15 mars, mjekët veterinerë nuk e kanë informacionin e nevojshëm dhe fermerët nuk njoftojnë. Duke mos patur një mjekim specifik, sëmundja përhapet me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe”-deklaroi profesori Kristaq Berxholi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb