Teuta nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, madje humbja e fundit solli edhe ndryshime në pankinë, teksa nesër përballë Vllaznisë, ekipin do ta drejtojë për herë të parë Renato Arapi. Në debutimin e tij si trajner, Arapi tha se grupi që ka Teuta është shumë i mirë dhe kjo i jep besim për të ardhmen.

“Ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë dëshira dhe entuziazmi që ka shfaqur ekipi. Kjo të bën të ndihesh mirë. Jam shumë i kënaqur që ekipi ka pasur dëshirë dhe entuziazëm. Jemi munduar që të ndryshojmë pak gjëra dhe ekipi ka reaguar shumë mirë, edhe pse është e vështirë që në një kohë kaq të shkurtër skuadra t’i thithë ato që kërkojmë ne.

Ndryshimet e mëdha nuk është se mund t’i bëjnë mirë ekipit. Jemi munduar të kemi një skuadër të ekuilibruar, pasi ekipi ka pësuar. E kam thënë dhe kur kam qenë lojtar, nuk është faji i mbrojtjes kur pësojmë apo kur sulmojmë nuk janë vetëm sulmuesit. Do të mundohemi që të bëjmë një lojë grupi sa më të mirë”.

Vllaznia? “Është një nga ekipet më të mira të momentit.  Për mendimin tim, edicionin e shkuar ka qenë një skuadër më e rrezikshme, megjithatë afrimet që ka bërë këtë vit janë duke bërë paraqitje të mira. Uroj t’i marrim maksimumin kësaj ndeshjeje, pasi e kemi përgatitur në mënyrën e duhur, që gjithçka të shkojë siç e mendojmë ne”.

Mungesat te Teuta? “Kemi dy mungesa, Aleksin, që është një nga lojtarët kryesorë të ekipit, dhe Todorovskin, por kemi një grup lojtarësh shumë të mirë, kushdo që do të aktivizohet ka aftësitë të zëvendësojë çdo lojtar në çdo pozicion. Ndryshimet janë të vështira, aq më tepër në një kohë kaq të shkurtër, por këto ditë kemi punuar dhe në aspektin e mbrojtjes, diçka që e kemi pasur pak problem. Shpresojmë që ato që kam kërkuar t’i zbatojmë dhe në fushë.

Edhe kur kam qenë futbollist në çdo ndeshje kam hyrë për të fituar, pavarësisht çfarë sjell fusha e lojës. Me të njëjtin mentalitet do të futem dhe si trajner”, u shpreh Arapi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb